
I akuzuari për vrasjen e ish-efektivit të Policisë së Shtetit, Santiago Malko, Ilir Selmanaj është paraqitur sot në GJKKO i shoqëruar nga forca të shumta policie dhe nën masa të larta sigurie.
Në orën 14:30 nisi seanca ku SPAK ka kërkuar dënimin me 28 vite burg. Selmani u lirua pak kohë më parë pasi ndaj tij u vendosa masa e sigurisë "arrest shtëpie" për shkak të tejkalimit të afateve të paraburgimit.
Seanca u shoqërua me tensione të ashpra mes palëve.
Gjatë seancës, i akuzuari Ilir Selmanaj ka mohuar në mënyrë kategorike përfshirjen në atentatin e gushtit të vitit 2019, duke deklaruar përpara togave të zeza: “Deklaroj që jam i pafajshëm, nuk kam asnjë lidhje në këtë ngjarje.”
Kjo deklaratë ka sjellë reagimin e menjëhershëm dhe të ashpër të nënës së viktimës, e cila ka qenë e pranishme në sallë. Mes emocionesh të forta, ajo iu drejtua gjykatës me akuza direkte ndaj Selmanajt:
“Ky më ka vrarë djalin! Të dënohet me 28 vite burg ose më sillni djalin në shtëpi ta shikoj dhe nxirreni jashtë këtë!”
Pas debateve dhe tensioneve të larta, trupi gjykues mbylli shqyrtimin dhe u tërhoq për vendim.
Vendimi përfundimtar i Apelit të GJKKO-së për Ilir Selmanajn, i cili akuzohet si pjesë e klanit “Duka” në përplasjet kundër Ervis Martinajt, do të shpallet zyrtarisht më 17 korrik.
Selmanaj po hetohet dhe gjykohet si pjesë e grupit të njohur si klani "Duka".
Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ai është një nga autorët e dyshuar të atentatit të ndodhur në gusht të vitit 2019 në zonën e Xhamllikut, në Tiranë, ku u vra ish-efektivi i Policisë së Shtetit, Santiago Malko.
Sipas dosjes së SPAK, Selmanaj akuzohet për përfshirje në organizimin dhe ekzekutimin e atentatit, ndërsa procesi ndaj tij vijon në GJKKO.
Santiago Malko njihej edhe si një person i afërt me Ervis Martinajn, i konsideruar nga autoritetet si një figurë e rëndësishme e botës së lojërave të fatit. Martinaj rezulton i zhdukur që prej 8 gushtit të vitit 2022, ndërsa fati i tij mbetet ende i pazbardhur nga autoritetet.
Dyshimet janë se eliminimi i Malkos u bë prej përplasjeve që Duka-Martinaj kishin nisur në atë kohë. Ngjarja u zbardh e plotë prej komunikimeve në aplikacionin “SkyECC”, ku flitej për atentatin e rëndë. Së bashku me Islamin, GJKKO ka dënuar me burg dhe Leonard Duka, Farmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku, Dritan Aga dhe Oltian Loga./Versus.al

