
Hetimet e deritanishme për autorin e dyshuar për vrasjen e mikut të tij Eglant Koçi më 4 qershor, kanë zbuluar se autori Armand Shakaj fshihet në qarkun e Elbasanit.
Sipas burimeve pranë grupit hetimor se dyshohet që autori qëndroi për të paktën 10 ditë në qarkun e Elbasanit, menjëherë pasi blutë ngritën dyshime ndaj tij.
A2 thotë se, sipas të njëjtave burime, ai ndryshoi edhe pamjen për të shmangur identifikimin dhe ka qëndruar në hotele dhe apartamente me qira ditore në zonat përreth Elbasanit, duke i ndryshuar shpesh ato.
Në rastet kur i është kërkuar karta e identitetit për t’u regjistruar, dyshohet se ka përdorur dokumente të falsifikuara. Madje, për të mos lënë gjurmë gjatë kësaj periudhe ai nuk ka përdorur automjete personale, por ka lëvizur me taksi.
Hetimet kanë ngritur dyshime se ai është fshehur edhe në zonat e Peqinit dhe Cërrikut, duke ndjekur të njëjtën skemë.
Këto lëvizje janë dokumentuar më pas nga grupi hetimor. Pasi hetuesit lokalizuan sinjalin e telefonit celular të Shakajt në qarkun e Elbasanit, u organizua operacion për kapjen e tij. Megjithatë, ai arriti të largohej sërish, duke humbur gjurmët.
Policia dyshon se ai po ndihmohet nga persona të afërt, të cilët mbajnë kontakte me të.
Më 4 qershor Armand Shakaj vrau mikun e tij, Eglant Koçi, dhe më pas zhduku trupin, duke e hedhur në zonën e Majës së Korrës, në një lartësi rreth 1450 metra, pranë fshatit Cerrujë. Trupi i pajetë i Eglant Koçit u gjet rreth dy javë më vonë gjatë kërkimeve të policisë./Versus.al

