
Sipas parashikimeve të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, dita e diel do të sjellë kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme në të gjithë vendin.
Moti do të nisë me vranësira mesatare deri të dendura, ndërsa gjatë mesditës pritet të ketë alternime me kthjellime dhe vranësira kalimtare. Reshje shiu të herëpashershme pritet të bien në shumicën e territoreve që në orët e para të mëngjesit, me intensitet të ulët deri mesatar, duke u përqendruar gradualisht në juglindje pas mesditës.
Në zonat malore, reshjet e dëborës do të jenë të mundshme në Alpe dhe në verilindje mbi 100 metër, si dhe në juglindje mbi 200-300 metër, me intensitet të ulët deri mesatar. Në pjesën tjetër të vendit reshje lokale bore mund të shfaqen me intensitet të ulët. Pas pasdites reshjet parashikohet të ndërpriten në të gjithë territorin.
Parashikohet gjithashtu mjegull e dendur dhe shikim i reduktuar, veçanërisht në zonat ku bie shi dhe borë.
Era do të fryjë me drejtim veriperëndim – verilindje, me shpejtësi mesatare 7 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore era mund të arrijë deri në 18 m/s.
Deti do të ketë valëzim 4-6 ballë, duke krijuar kushte të vështira për lundrim dhe aktivitete ujore.
Banorët dhe drejtuesit e mjeteve paralajmërohen të tregojnë kujdes të shtuar për shkak të reshjeve, dëborës, mjegullës dhe erës së fortë, sidomos në zonat malore dhe bregdetare.

