Breshia, Itali – Financiarët e Komandës Provinciale të Gardës së Financës së Breshias, në përfundim të një hetimi kompleks e të detajuar, të koordinuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Breshias, kanë ekzekutuar një vendim për sekuestrim pasurish, ndaj një shtetasi me origjinë shqiptare.
Bëhet fjalë për një pasuri me vlerë mbi 700 mijë euro, ku përfshihen para cash, njësi banimi, kuota shoqërish dhe disponueshmëri financiare të lidhura, drejtpërdrejt ose tërthorazi, me personin nën hetim.
Sipas autoriteteve italiane, i dyshuari është i implikuar si pjesë aktive e një organizate kriminale transnacionale, e cila merret me trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimin e kapitalit të paligjshëm. Ai ishte tashmë i përfshirë në hetimet e operacionit “Tornado”, ku ndaj tij ishin vendosur më parë masa sigurie personale.
Hetimet e kryera nga Njësia e Policisë Ekonomiko-Financiare e Breshias kanë zbuluar një mospërputhje të dukshme midis standardit të jetesës së tij dhe të familjes së tij me të ardhurat e deklaruara në administratën tatimore. Ky disproporcion u evidentua falë një pune hetimore të hollësishme që përfshiu analizë të të dhënave bankare, kontrolle pasurore, përgjime telefonike e ambientale, si dhe analizën e flukseve financiare të dyshimta.
Autoritetet theksojnë se kjo masë është pjesë e luftës së përditshme të Gardës së Financës kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar, me synim mbrojtjen e ekonomisë legale dhe stabilitetit financiar të Italisë./Versus.al







