
Propozimi i ri ligjor i depozituar në Kuvend nga deputetja socialiste Zamira Sinaj, përfaqësuese e qarkut të Vlorës, hap një epokë të re për menaxhimin e porteve turistike në Shqipëri, duke i lidhur drejtpërdrejt me projektet që gëzojnë statusin e investitorit strategjik.
Sipas ndryshimeve të propozuara, sapo një resort apo kompleks turistik merr këtë status, porti turistik i lidhur me të mund t’i kalojë të njëjtit subjekt pa procedura të hapura konkurrimi, duke krijuar një korsi të posaçme ligjore jashtë garës klasike.
Drafti parashikon që portet, në rastin e projekteve të certifikuara si investime strategjike, të mos trajtohen më si infrastrukturë e veçuar që duhet t’i nënshtrohet garës publike, por si pjesë organike e projektit të investitorit strategjik.
Rregullat konkrete dhe marrëveshjet kontraktore do të përcaktohen më pas me vendime të Këshillit të Ministrave, duke zhvendosur peshën e madhe të vendimmarrjes nga Kuvendi tek ekzekutivi.
Ky ndryshim e bën statusin “investitor strategjik” çelësin kryesor jo vetëm për tokat dhe lehtësitë, por edhe për marrjen në përdorim të porteve turistike.
Qeveria dhe mbështetësit e shumicës socialiste e justifikojnë nismën si domosdoshmëri për të shmangur mbivendosjen e ligjit për portet turistike me ligjin për investimet strategjike, për të përshpejtuar procedurat dhe për të siguruar “unitetin e projektit” – pra, që i njëjti investitor strategjik të projektojë, ndërtojë dhe menaxhojë si resortin, ashtu edhe portin.
Në argumentimin zyrtar theksohet se kjo kornizë synon të tërheqë kapitale të mëdha, të nxisë turizmin elitar dhe të rrisë potencialin ekonomik të zonave bregdetare, pa shtuar barrë direkte mbi buxhetin e shtetit.
Në anën tjetër, kritikët paralajmërojnë për rrezikun e reduktimit të konkurrencës dhe transparencës në administrimin e aseteve publike.
Sipas tyre, portet turistike janë pasuri strategjike kombëtare dhe lidhja automatike e tyre me projekte të investitorëve strategjikë pa garë të hapur krijon terren për përqendrim ekonomik në pak duar dhe për favorizim të subjekteve të caktuara.
Ata ngrejnë pikëpyetje mbi faktin se vendimmarrja kyçe kalon nëpër vendime qeveritare, duke e bërë më të vështirë kontrollin parlamentar dhe publik mbi kontratat afatgjata që prekin vijën bregdetare.
Nisma e Sinajt pritet të diskutohet në komisionet parlamentare, por pyetja thelbësore mbetet e hapur: po krijohet një instrument për zhvillim të shpejtë të turizmit, apo një regjim i privilegjuar ku statusi i “investitorit strategjik” bëhet biletë hyrëse për të marrë nën kontroll, pa garë, portet turistike përgjatë bregdetit shqiptar?/Versus.al

