AKTUALITET /

Prokuroria e Tiranës çon në gjyq administratorin e TIBO-s, Adnan Mahmutajn dhe 5 të tjerë për mashtrim dhe pastrim parash

Shkruar nga Versus
Prokuroria e Tiranës çon në gjyq administratorin e TIBO-s,
Adnan Mahmuti

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim administratorin e rrjetit “TIBO”,Adnand Mahmutin dhe pesë persona të tjerë, të akuzuar për mashtrim, pastrim parash, fshehje të ardhurash dhe mospagim taksash.

Hetimet kanë nisur pas kallëzimit të biznesmenes shqiptaro-gjermane Mirlinda Heidorn, e cila pretendon se është mashtruar për një shumë prej 2.2 milionë eurosh, të dhëna si hua për investime në një projekt mediatik dhe teknologjik.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë përdorur marrëdhënie besimi dhe pozita drejtuese në disa kompani për të mos kthyer shumën e marrë, ndërsa hetimet kanë zbuluar edhe veprime financiare të dyshuara për fshehje të të ardhurave dhe shmangie të detyrimeve tatimore.

Po ashtu, nga analiza financiare rezulton se janë kryer transferta të shumta mes shoqërive të lidhura, shpesh pa dokumentacion të rregullt dhe jashtë sistemit bankar, çka sipas hetuesve është përdorur për të vështirësuar gjurmimin e origjinës së fondeve.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dergon në gjyq gjashtë persona dhe pesë shoqëri biznesi për veprat penale ‘Mashtrimi’, ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’, ‘Fshehje e të ardhurave’ dhe ‘Mospagimi i taksave dhe tatimeve’, parashikuar nga nenet 143/3, 287/2, 180/3 dhe 181 të Kodit Penal.

Në përfundim të hetimit të procedimit penal nr. 2156, të vitit 2023, të nisur pas kallëzimit të shtetases Mirlinda Heidorn, rezultoi se gjithçka nisi pasi shtetasi Adnand Mahmuti i kërkoi një hua kësaj shtetaseje 2.200.000 euro, të cilat ajo i kishte përfituar nga shitja e një pasurie të paluajtshme, me qëllim që ai dhe ortaku i tij Saimir Gora, t’i investonin në biznes.

Ky shtetas ishte aksioner në shoqërinë “Magoware” shpk me objekt të aktivitetit ndërtimin, mirëmbajtjen përpunimin e të dhënave kompjuterike.

Sipas kontratës, shuma e marrë hua do të përdorej për realizimin e projektit të kërkuar nga “Supercapital Italia” dhe “Oversport” shpk për ndërtimin, mirëmbajtjen dhe realizimin e projektit të transmetimeve nëpërmjet aplikacioneve softëerike si Android, IOS, etj, për eventet e Serie A dhe të tjera, për sezonet 2021-2024.

Nga hetimet rezultoi se shtetasi Adnand Mahmuti, ka përdorur gënjeshtrën dhe shpërdorimin e besimit për të mashtruar kallëzuesen.

Ai shfrytëzoi marrëdhënien miqësore si dhe pozitën e tij si administrator dhe ortak në një grup shoqërish (“Magoware” sh.p.k., “Tibo” sh.p.k., “Tibo AL” sh.p.k., “Tibo Communication” sh.p.k. dhe “Oversport” sh.p.k.), në dëm të shtetases Mirlinda Heidorn, duke mos zbatuar kontratën për të kthyer shumën e marrë hua si dhe interesat.

Nga tërësia e volumit të transaksioneve të kryera si në shoqërinë Magoëare shpk, ashtu edhe në shoqërinë OverSport shpk, rezultoi se këto kompani kanë patur mundësi financiare të vazhdonin të likuidonin huanë e marrë nga shtetasja Mirlinda Heidorn, por nuk e kanë bërë. Gjithashtu edhe shoqëritë ‘Tibo Communcations’ dhe ‘Tibo AL’, apo edhe shoqëritë e tjera të lidhura me këto subjekte, kanë patur mundësi financiare për të kontribuar në kthimin e shumës së marrë.

Përsa më lart nga analiza e provave të administruara, rezulton se janë përmbushur të gjithë elementët objektivë të veprës penale të mashtrimit.

Po kështu, edhe shtetasit B.K. administratore e “TIBO AL” sh.p.k, B.K., administratore e “Oversport” sh.p.k., M.G., administratoresë e “Oversport” sh.p.k, M.Z. administrator i shoqërisë “Tibo Communications” si dhe Saimir Gora në cilësinë e administratorit të “Magoëare”, kanë marrë pjesë në realizimin e mashtrimit përmes veprimeve duke penguar kthimin e shumës së përfituar në mënyrë të kundërligjshme. Ato kanë vepruar me dijeni të plotë për natyrën mashtruese të veprimeve të kryera.

Shtetasit në fjalë si dhe kompanitë, kanë konsumuar edhe veprën penale ‘Fshehja e të ardhurave’ si dhe ‘Mospagimi i taksave dhe tatimeve’.

Nga ekspertimi kontabël rezultoi se gjatë vitit 2022, shoqëria “TIBO” sh.p.k. admnistruar nga shtetasi Adnand Mahmuti ka paraqitur një rritje të konsiderueshme të detyrimeve afatshkurtra në zërin “Të tjera të pagueshme”, e cila nuk mbështetet në burime të ligjshme dhe nuk është shoqëruar me dokumentacion financiar provues. Në këto rrethana, rezultoi se Adnand Mahmuti, në cilësinë e administratorit të  “TIBO” sh.p.k., ka vepruar në kundërshtim të hapur me detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni tatimor dhe kontabël, duke mos reflektuar të ardhurat reale të subjektit dhe duke shmangur pagimin e tatimeve përkatëse dhe po kështu edhe personat e tjerë të përfshirë.

Në lidhje me veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ nga analiza e dokumentacionit rezulton se “TIBO” ka kryer transferime të shumta dhe të paarsyetuara ndërmjet shoqërive të grupit, përfshirë huadhënien prej 383.158.664 lekësh ndaj “Oversport”, pa faturim tatimor dhe pa pasqyrim në bilancet financiare si të drejtë arkëtimi. Këto vlera janë qarkulluar jashtë sistemit bankar, kryesisht në cash dhe janë shpërndarë ndërmjet shoqërive të lidhura, me qëllim fragmentimin e gjurmëve financiare dhe vështirësimin e identifikimit të origjinës së shumave që rrjedhin nga mashtrimi dhe fshehja e të ardhurave.

Emrat dhe shoqëritë e dërguar në gjyq:

1. Adnand Mahmuti, ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;

2. Blerina Kapaj, ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;

3. Blerina Kota., ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;

4. Mirela Guri,  ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Fshehje e të ardhurave”;

5. Mirgen Zaçellari, ka konsumuar veprat penle “Mashtrimi”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, dhe “Mopagimi i taksave dhe tatimeve”;

6. Saimir Gora, ka konsumuar veprat penale “Mashtrimi”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;

7. “MAGOWARE” sh.p.k. ka konsumuar veprat penale “Mashtrimi”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”’;

8. “OVER SPORT” sh.p.k. ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;

9. “TIBO AL” sh.p.k. ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimi”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;

10. “TIBO Communications” sh.p.k. ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;  dhe

11. “TIBO” sh.p.k. ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”./Versus.al

Poll