
Kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, ka futur në rendin e ditës të mbledhjes së 28 prillit projektvendimin për krijimin e shoqërisë bashkiake “Himara Invest” sh.p.k., një strukturë 100% në pronësi të Bashkisë Himarë, që sipas dokumentit do të administrojë plazhet publike, asetet bashkiake, parkimet me pagesë dhe aktivitete të tjera ekonomike vendore.
Por pas formulimit teknik të projektit fshihet një lëvizje me shumë pika të errëta.
Sipas versionit të publikuar nga mediat, kjo shoqëri do të shërbejë si një instrument që e nxjerr administrimin e pasurive publike nga kontrolli i drejtpërdrejtë institucional dhe ia kalon atë një strukture ku vetë Tavo do të përfaqësojë bashkinë si aksioner dhe do të emërojë administratorin.
Debati është përqendruar sidomos te pika që i hap rrugë shoqërisë së re për të hyrë në marrëdhënie me kompani private për përdorimin dhe zhvillimin e pronave bregdetare.
Kritikat thonë se kjo krijon një mekanizëm të rrezikshëm për tjetërsimin e pronave publike dhe për shmangien e Këshillit Bashkiak nga vendimmarrjet madhore.
Opozita në Himarë e ka kundërshtuar me forcë nismën, duke e parë si një skemë që rrezikon të kthejë tokat, plazhet dhe asetet e bashkisë në objekt pazaresh me interes privat.
Në qendër të shqetësimit është fakti që, në një zonë me histori të gjatë konfliktesh pronësie, një shoqëri tregtare e kontrolluar nga bashkia mund të shërbejë si kanal për përqendrimin e vendimmarrjes dhe për zhdukjen e transparencës.
Në dokumentacionin e publikuar nga media, “Himara Invest” paraqitet si mjet operacional për administrimin e plazheve, hapësirave bregdetare, parkimeve publike dhe punimeve në objekte publike, por kundërshtarët e projektit thonë se në praktikë ai i jep një dorë të lirë kryebashkiakut për të kontrolluar pronat më të ndjeshme të Himarës.
Pikërisht kjo ka bërë që nisma të shihet jo thjesht si reformë administrative, por si një skemë e rrezikshme për kapjen e pasurive publike nën petkun e zhvillimit ekonomik./Versus.al

