
Partia Socialiste ka përgatitur një draft me ndryshime të rëndësishme në Kodin Rrugor, duke propozuar masa më të ashpra për shoferët e rinj, drejtuesit pa patentë dhe ata që përsërisin shkeljet nën efektin e alkoolit.
Drafti, që mban firmën e kryetarit të Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja dhe deputetit Erion Braçe, parashikon që shoferëve që kapen në timon me mbi 0.5 g/l alkool në gjak dhe që janë ndëshkuar më parë për të njëjtën shkelje, t’u hiqet përgjithmonë patenta.
Ndryshimet e propozuara:
1.Nëse kapesh duke drejtuar mjetin pa patentë, për 1 vit nuk mund të pajisesh me leje drejtimi, përveç përgjegjësive sipas legjislacionit penal.
2.Për të miturit që kapen pa patentë, afati për t’u pajisur me leje drejtimi shtyhet me 2 vite nga momenti kur u lind kjo e drejtë.
3.Kufiri minimal i moshës për të marrë patentën për herë të parë propozohet të rritet nga 18 në 20 vjeç.
4.Shoferët në vitin e parë të patentës nuk do të lejohen të konsumojnë asnjë sasi alkooli gjatë drejtimit të mjetit.
5.Për shoferët e rinj vendosen kufizime të reja të shpejtësisë: maksimumi 90 km/h në autostradë dhe 80 km/h në rrugët jashtë qendrave të banuara.
6.Shkelja e këtyre kufizimeve parashikon gjobë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, pezullim të patentës për 1 muaj dhe heqje pikësh.
7.Shoferët e rinj deri në 2 vite eksperiencë nuk do të lejohen të drejtojnë mjetin nga ora 24:00 deri në 06:00 pa u shoqëruar nga një person që ka patentë prej të paktën 3 vitesh.
8.Nëse drejtuesi nuk kryen asnjë shkelje brenda vitit të parë, kufizimet hiqen automatikisht.
9.Nëse kryhen 2 shkelje gjatë periudhës së provës, periudha zgjatet edhe me 1 vit.
Drafti parashikon edhe ndalimin e përdorimit të celularit gjatë drejtimit të biçikletave dhe motorëve elektrikë.
Sipas socialistëve, ndryshimet synojnë rritjen e sigurisë rrugore dhe uljen e aksidenteve nga shkeljet e rënda në qarkullim./Versus.al

