AKTUALITET /

Shpërthimi i fuqishëm me tritol në Tiranë, automjeti në pronësi të nipit të ish-prokurorit Thoma Jano! (Pistat e hetimit)

Ngjarja ka shkaktuar vetëm dëme materiale në mjetin e parkuar në oborrin e banesës, pa lënduar persona.

Shkruar nga Versus
Shpërthimi i fuqishëm me tritol në Tiranë, automjeti në
Automjeti i Dritan Janos dhe prokurori Thoma Jano

Një shpërthim me lëndë plasëse ka tronditur kryeqytetin në orët e para të mëngjesit të së premtes, rreth orës 03:20, në zonën e Selitës së Vogël.

Dy persona të maskuar dyshohet se kanë vendosur tritolin në automjetin e shtetasit Dritan Jano, nip i ish-prokurorit Thoma Jano dhe bashkëshort i Dorina Jahos, administratores së Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara pranë Ministrisë së Brendshme.

Ngjarja ka shkaktuar vetëm dëme materiale në mjetin e parkuar në oborrin e banesës, pa lënduar persona.

Autorët u larguan me dy automjete, ndërsa Dritan Jano ka mohuar konflikte personale në deklaratat e tij paraprake.

Hetuesit po shqyrtojnë pista të ndryshme, duke përfshirë lidhjen me karrierën e xhaxhait të tij në Prokurorinë e Përgjithshme, ku Thoma Jano ka shërbyer si zëvendëskryeprokuror në 2019 dhe ka drejtuar sektorin e hetimeve në të kaluarën.

Policia ka nisur hetimet intensive për kapjen e autorëve, ndërsa ngjarja ngre pyetje për mundësinë e motiveve të lidhura me funksionet publike të familjes Jano.

Njoftimi i policisë:

Më datë 19.12.2025, rreth orës 03:20, në Selitë të Vogël, dyshohet se është hedhur një sasi lënde plasëse në automjetin e shtetasit D. J., rreth 39 vjeç, i cili ka qenë i parkuar në oborrin e banesës së tij. Si pasojë, pati vetëm dëme materiale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”/Versus.al

Poll