
Ish-oficeri i lartë i Policisë së Shtetit, Kastriot Çako, ka denoncuar një skandal të rëndë brenda Komisariatit të Policisë Nr. 2 në Tiranë. Më 10 dhjetor, rreth orës 10:33, ai u thirr për një “sqarim” lidhur me një çështje pronësie dhe u paraqit menjëherë, pasi punonte pranë komisariatit.
Pas një kontrolli personal ku iu sekuestrua telefoni dhe iu kontrolluan sendet personale, Çako u fut me forcë në një dhomë izolimi të mbyllur me shul dhe dry, pa asnjë kundërshtim nga ana e tij.
Ai rrëfen se një civil i urdhëroi punonjësit e policisë ta fusin aty, dhe pas 10-15 minutash në izolim, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua ndjeshëm, duke humbur ndjenjat. Çako u përmend fillimisht në dhomën e ndalimit dhe më pas u dërgua në urgjencën e Spitalit “Nënë Tereza”.
Para se të futej në izolim, ai kishte kërkuar të njoftonte familjen dhe kishte folur me bashkëshorten. Pas përmendjes në spital, Çako mësoi se gruaja e tij kishte ardhur dhe i kishte kërkuar policisë kujdes.
Ai deklaron se nuk mbaj mend çfarë ndodhi gjatë kohës që ishte pa ndjenja dhe ka kërkuar avokat civil e penal, duke dyshuar në një ndalim të paligjshëm.
Gjatë një interviste mediatike në A2CNN, Çako është shprehur:
Në momentin që po plotësohesh blloku në shkallët e komisariatit numër dy nga kati i dytë zbret një civil dhe i thotë punonjësit të policisë pse e mban atje fute në dhomat e shoqërimit. Mbasi plotësoi dhe më bëri kontrollin personal duke më hequr celularin, më kontrolloi për cigare, për çakmak, për të gjithë gjërat e tjera, për rrip, më futi në dhomën e izolimit. Jam futur në dhomën e izolimit pa bërë asnjë lloj kundërshtie, asnjë gjë dhe kam ndenjur rreth 10-15 minuta. Më pas ka ardhur personi i cili më futi në dhomën e shoqërimit bashkë me SPZ-në e zonës që më mbulon mua. Unë e njoh thjesht si figurë, por nuk ia dija emrin. Kanë hapur derën e cila ishte mbyllur me shul dhe me dry.
Në momentin që këta kanë ikur unë nuk e ndjeja veten mirë po më merreshin mend dhe në një moment të caktuar bërtas ndihmë i kërkoi policisë kam rënë pa ndjenja dhe unë nuk mbaj mend gjë se çfarë ka ndodhur me mua por dua të theksoj se para se të futem në dhoma të izolimit i kam kërkuar punonjësit të policisë a mundet të njoftoj familjen më ka dhënë telefoni dhe kam marrë bashkëshorten./Versus.al

