AKTUALITET /

Vlora pa ujë prej tre ditësh, qytetarët të indinjuar: Taksat i paguajmë, ujë nuk kemi

Një defekt i rëndë në rrjetin e ujësjellësit ka lënë qytetin e Vlorës pa furnizim prej tre ditësh, duke krijuar vështirësi të mëdha për banorët. Qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet për riparimin e defektit dhe rikthimin e ujit të pijshëm.

Shkruar nga Versus
Vlora pa ujë prej tre ditësh, qytetarët të indinjuar: Taksat
Qytetarët e Vlorës duke mbushur ujë në burime

Një defekt i rëndë në rrjetin e ujit të pijshëm ka lënë qytetin e Vlorës pa furnizim prej tre ditësh, duke krijuar një situatë alarmante për banorët. Mungesa e ujit ka detyruar qytetarët t’u drejtohen burimeve publike për të siguruar nevojat më minimale ditore.

Banorët shprehen të indinjuar për situatën, ndërsa çdo ditë dhjetëra prej tyre shihen në radhë për të mbushur bidonë dhe enë me ujë, pasi në banesat e tyre nuk ka furnizim. Sipas tyre, mungesa e ujit po e bën jetesën të papërballueshme, veçanërisht për familjet me fëmijë dhe të moshuar.

Një punonjës i Ujësjellës-Kanalizimeve Vlorë ka pranuar se defekti është serioz dhe kërkon kohë për t’u riparuar.

Sipas tij, një zgjidhje e përkohshme është tentuar ditën e djeshme, por ajo ka dështuar, duke sjellë vetëm një furnizim të shkurtër për zonën e Lungomares dhe bregdetit. “Avaria është shumë e rëndë dhe kërkon kohën e vet. Mendojmë se rreth orës 17:00–18:00 do të nisë gradualisht furnizimi, fillimisht nga stacionet e prodhimit drejt Lungomares dhe më pas drejt depos së qytetit”, u shpreh ai.

Situata ka shkaktuar reagime të forta edhe nga qytetarët, të cilët kërkojnë përgjegjësi dhe zgjidhje të menjëhershme.

“Kemi tre ditë pa ujë. Taksat i paguajmë rregullisht, por ujë nuk kemi as për nevojat bazë”, tha një banor.

Një tjetër qytetar u shpreh ashpër, duke e cilësuar situatën si të papranueshme dhe duke kritikuar mungesën e reagimit institucional.

Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar për afatin përfundimtar të riparimit të defektit, ndërsa qytetarët e Vlorës kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse për rikthimin e furnizimit normal me ujë të pijshëm./ Versus.al

Poll