
Pas ngjarjes së rëndë të Lozhanit, ku mbeti i vdekur gjatë një operacioni policor, efektivi Enea Mekolli, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dolën pasditën e sotme në një konferencë për mediat.
Hita tha se autori i shpallur në kërkim Violand Braçellari qëlloi drejt policisë duke lënë të vdekur Mekollin dhe të plagosur 36-vjeçarin Edison Adri.
Sipas tij, operacioni për arrestimin e Braçellarit u zhvillua nga policia e Korçës e cila nuk kërkoi ndihmë për shtim të forcave të policisë.
Kanë qenë 40 forca policie dhe të veshur me jelekë antiplumb, por kallashnikovi ka çarë tejpërtej jelekun.
Për këtë tha Hita do të kryhet një analizë e ngjarjes.
Fjala e plotë
“Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, bazuar në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar, me rrezikshmëri të lartë, kanë shkuar në zonën e Lozhanit, në Malin Bode, Bashkia Maliq, për kapjen e këtij shtetasi.
Rreth orës 07:30, shërbimet e Policisë kanë rrethuar stanin ku dyshohej se fshihej shtetasi në kërkim, konkretisht Violand Braçellari, 43 vjeç, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2011, i është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
“Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit, të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë, dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë. Si pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, Inspektor Enea Mekolli, 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur, punonjësi i Policisë, Inspektor Edison Adri, 36 vjeç, të dy punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë.
“Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur edhe i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, i cili më pas është arrestuar”, tha Hita.
“Për kapjen e shtetasit Violand Braçellari, gjatë viteve të fundit, ishin organizuar disa operacione policore, nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, me përfshirjen dhe të forcave speciale, por nuk kishin mundur të realizonin kapjen e tij”, vijoi kreu i Policisë.
“Në lidhje me këtë ngjarje shumë të rëndë, kam urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për të nisur një hetim mbi zbatimin e procedurave standarde të punës për kapjen e shtetasit në kërkim, dhe pse Drejtoria Vendore e Policisë Korçë nuk ka kërkuar ndihmë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për të vënë në dispozicion Forcat Kombëtare të Sigurisë ose Repartin Special RENEA për të mundësuar kapjen e këtij personi”, theksoi Hita.
I shpreh ngushëllimet më të sinqerta, familjes së kolegut tonë Enea Mekolli, dhe i uroj shërim sa më të shpejtë, kolegut Edison Adri.
Më tej, ai shtoi se, “akti heroik i sotëm përbën motivimin më të lartë për punonjësit e Policisë, për ta vijuar të palëkundur misionin e tyre, si dhe përbën apelin më të fortë për qytetarët për t’i mbështetur dhe vlerësuar më shumë punonjësit e Policisë, sepse janë ata që për sigurinë e qytetareve, janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka, edhe më të shtrenjtën dhe më sublimen, jetën, ndërsa për ata që guxojnë të sulmojë punonjësit e Policisë, mesazhi i vetëm është përgjigjja e merituar sipas ligjit.
I garantoj qytetarët, se asnjë ngjarje, sado e rëndë dhe me pasoja, qoftë dhe për jetën e pjesëtarëve të radhëve tona, nuk do ta përkulë kurrë uniformën e Policisë së Shtetit, para krimit.
Gjaku i Eneas, gjaku i Dëshmorëve të Policisë, nuk do të harrohet kurrë”, përfundoi Hita, i cili tha se po kryhen po kryhen procedurat për shpalljen “Dëshmor i atdheut”

