Policia e Belgjikës ka arrestuar të shpallurin në kërkim ndërkombëtar, Gerd Gjinararin i njohur ndryshe si “Gert Gjenerali”, personazh i botës së krimit. Ai rezulton të jetë dënuar nga drejtësia italiane me burgim të përjetshëm për vrasjen e Naim Zyberit, njërit prej personazheve më të njohur të botës së krimit në Tiranën e viteve 1990.
Vrasja ndodhi në vitin 1997 në një spital në Milano, ku Zyberi po merrte trajtim mjekësor. Sipas hetimeve, Gjinarari dhe Arben Grori hynë në dhomën e spitalit duke u paraqitur si të afërm të pacientit dhe realizuan ekzekutimin me armë zjarri, të cilën e kishin fshehur brenda një buqete me lule. Për këtë ngjarje, Gjinarari u dënua me burgim të përjetshëm nga gjykatat italiane dhe në vitin 2014 u ekstradua në Shqipëri për të vuajtur dënimin.
Ndërsa në vitin 2019 me një vendim që shkaktoi reagime të forta, Gjinarari u lirua me kusht nga gjykata e Korçës. Më pas gjykata e Apelit rrëzoi vendimin duke kërkuar rikthimin e Gjinararit në burg. Arrestimi i tij në Belgjikë pritet të hapë procedurat e ekstradimit. Versus.al

