
Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë rritur sërish, pasi ushtria amerikane ka ndërmarrë sulme ajrore ndaj objektivave ushtarake iraniane, në përgjigje të një sulmi ndaj një anijeje tregtare në Ngushticën e Hormuzit.
Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) bëri të ditur se në shënjestër të sulmeve ishin depo raketash dhe dronësh, si dhe impiante radarësh në bregdetin iranian. Sipas ushtrisë amerikane, operacioni erdhi pasi një anije tregtare u godit nga një dron, sulm për të cilin Uashingtoni fajëson Teheranin.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani ka kryer të paktën katër sulme me dron ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit. Ai tha se njëri prej dronëve goditi një anije tregtare, e cila, megjithëse u dëmtua, arriti të vazhdonte lundrimin, ndërsa tre dronët e tjerë u rrëzuan nga ushtria amerikane.
"Kjo është qartazi një shkelje e marrëveshjes sonë për armëpushim", shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
Nga ana tjetër, autoritetet iraniane njoftuan se kanë ndërmarrë sulme ndaj disa bazave ushtarake amerikane në rajon, si kundërpërgjigje ndaj operacionit të SHBA-së, megjithëse nuk janë bërë të ditura detaje mbi objektivat e goditura apo dëmet e shkaktuara.
Ndërkohë, mediat shtetërore iraniane raportuan për shpërthime në qytetin bregdetar Sirik, në provincën Hormuzgan, pranë Ngushticës së Hormuzit, zonë me rëndësi strategjike që ka qenë edhe më herët objekt i operacioneve ushtarake amerikane.
Pavarësisht përshkallëzimit të situatës, sipas televizionit amerikan CNN, që citon një zyrtar të SHBA-së, sulmet amerikane nuk sinjalizojnë, të paktën për momentin, rikthimin në një fushatë të gjerë ushtarake. Së fundmi, Uashingtoni dhe Teherani kishin arritur një marrëveshje kornizë që synonte uljen e tensioneve dhe rihapjen e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

