BOTA /

SHBA dhe Irani shkëmbejnë sulme ushtarake, JD Vance: Nëse s'janë të qartë, le të na telefonojnë

Shkruar nga Versus

SHBA dhe Irani shkëmbejnë sulme ushtarake, JD Vance: Nëse

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë shkëmbyer sulme ushtarake pasi Uashingtoni akuzoi Teheranin për sulmin ndaj një anijeje mallrash në Ngushticën e Hormuzit.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se sulmet amerikane ndaj Iranit ishin një "përgjigje e fuqishme" ndaj sulmit iranian me dron ndaj anijes tregtare M/V Ever Lovely, i cili ndodhi më 25 qershor në Ngushticën e Hormuzit.

Pak pas sulmeve amerikane reagoi Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC). Ajo bëri të ditur se, si masë hakmarrëse ndaj sulmit të fundit të administratës së presidentit Donald Trump, ka goditur pozicionet në rajonin e Gjirit ku janë të dislokuara trupat amerikane.

"Nëse agresioni përsëritet, përgjigjja jonë do të jetë shumë më e gjerë se kjo", paralajmëroi Garda Revolucionare iraniane.

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance i dërgoi një paralajmërim të ashpër Teheranit, duke thënë se Irani do të përballet me pasoja nëse ndërmerr sulme të tjera.

"Irani ka nënshkruar marrëveshjen e armëpushimit. Ne e kemi respektuar atë. Nëse kanë mosmarrëveshje për mënyrën se si zbatohet Memorandumi i Mirëkuptimit, mund të marrin telefonin dhe të komunikojnë. Por dhunës do t'i përgjigjemi me dhunë", shkroi Vance në rrjetin social X.

Ky shkëmbim sulmesh vjen në një moment delikat të proceseve diplomatike në rajon. Pas negociatave të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe Libani nënshkruan një "marrëveshje kornizë". Uashingtoni pretendon se synimi i kësaj marrëveshjeje është t'i japë fund përfundimisht "ciklit të konflikteve të pafundme".

Megjithatë, marrëveshja nuk është pritur mirë nga të gjitha palët. Grupi ushtarako-politik libanez Hezbollahu e ka refuzuar kategorikisht marrëveshjen. Njëri prej deputetëve të tij deklaroi se një marrëveshje e tillë nuk ka perspektivë dhe se do t'u shërbejë vetëm "interesave të Izraelit". Versus.al

Poll