
Kosovë- Detaje të reja janë publikuar nga ngjarja e ndodhur në Gjilan ku një vrasje e trefishtë tronditi gjithë opinionin publik. Policia ka shpallur në kërkim edhe djemtë e autorit Mefail Shkodra i cili është në arrati që prej ditës së djeshme.
Në kërkim janë shpallur Edonis e Engjull Shkodra të cilët dyshohen si autorë të vrasjes së dy argjendarëve dhe të afërmit të tyre. Në njoftimin e bërë për qytetarët, policia ka kërkuar që në rast se ndonjë prej tyre ka informacion për të shpallurit në kërkim të kontaktojnë menjëherë stacionin më të afërt policor.
Çfarë ndodhi në Gjilan
Ditën e djeshme Selami dhe Edmond Hasani (babë e bir) argjendarë të njohur në Gjilan, u vranë me armë zjarri në një kafene pranë ndërtesës së komunës. Pak më vonë në spital ndërroi jetë edhe i njohuri i tyre Abedin Hoxha i cili fillimisht u transportua në spital në gjendje të rëndë.
Si autor i krimit u shpall në kërkim Mefail Shkodra i cili kishte precedentë të mëparshëm penalë. Pas krimit, u publikuan edhe foto të autorit me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë në një organizim në ambasadën e Shqipërisë në Kosovë. Osmani tha se nuk kishte njohje me autorin dhe se fotoja është bërë njëjtë si me mijëra qytetarë të tjerë. Versus.al







