Live Updates /

Përmbytjet në vend, Rama: Hedhjet e plastikës në rrugë, krim! Shqipëria ka drejtësi të pavarur, por ende jo të paanshme e cilësore

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

3 Postime
7 ORE ME PARE

Rama: I kam shtrënguar dhëmbët për të bërë durim, tani Shqipëria nis kthesën historike të rritjes së pensioneve

Përmbytjet në vend, Rama: Hedhjet e plastikës në rrugë,

Kryeministri Edi Rama ka rikujtuar rritjen e pensioneve që ka nisur këtë janar, duke theksuar se shtesa do të dyfishohet çdo vit pasardhës.

Ai e përshkroi këtë arritje si një “çlirim” dhe shtoi se për ta realizuar është dashur një përpjekje e gjatë, me vite reformash dhe punë të vazhdueshme për të siguruar stabilitetin financiar.

Edi Rama: Ashtu siç u zotuam në fushatën e 83 mandateve dhe siç ngritëm 83 kartona të gjelbër në Kuvend pro rritjes graduale të pensioneve gjatë këtij mandati historik, tanimë e kemi nisur kthesën. Sipas kategorive përkatëse, pensionistët që prej këtij janari përfitojnë një rritje, që çdo janar do të dyfishohet. Pra janarin e ardhshëm do të marrin dyfishin e shtesës së këtij janari. Janarin pas tij, trefishin e shtesës së këtij janari, pastaj katërfishin e këtij janari dhe në Shqipërinë 2030 do të ndalet ky progresion tek pesëfishimi i shtesës së mirëseardhur të janarit të këtij viti.

Kjo kthesë është një çlirim i madh për mua. U deshën vite reformash, u desh një përpjekje e madhe për rritje ekonomike, u desh një përmirësim rrënjësor në mbledhjen dhe administrimin e të ardhurave, u desh shumëçka që të vinim në pikën ku një Shqipëri tjetër nga ajo e dhjetë viteve më parë, të bëhej vendi i rritjes së pensioneve, pa minuar themelet e stabilitetit financiar të shtëpisë sonë të përbashkët.

Unë e di se si i kam shtrënguar dhëmbët për të bërë durim, se si ndihesha se si sikletosesha, se si mezi i nxirrja fjalët kur thosha s’ka mundësi, nuk kemi lekë për ta bërë, s’është e mundur, duhet fillimisht të rrisim mundësitë e shtetit, s’e bëjmë dot se nuk mund të minojmë shtëpinë, ku rriten fëmijët tanë… E pra duruam, por më në fund erdhëm në këtë pikë, sepse punuam çdo ditë për kthesën që sapo ka nisur dhe më e mira është e gjitha përpara për gjyshet dhe gjyshërit e këtij vendi./Versus.al

7 ORE ME PARE

Edi Rama në “Flasim”: Shqipëria ka drejtësi të pavarur, por ende jo të paanshme e cilësore

Përmbytjet në vend, Rama: Hedhjet e plastikës në rrugë,
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama, gjatë hapjes së sezonit të 6-të të podkastit “Flasim”, komentoi mbi samitin e Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën.

Ai riktheu theksin tek takimi me Ministrin e Drejtësisë së Francës, duke nënvizuar nevojën për një reflektim serioz dhe largpamës mbi politikat penale në Shqipëri.

Rama shtoi se, megjithëse drejtësia në vend është formalisht e pavarur, Shqipëria ende nuk ka një sistem drejtësie të paanshëm dhe cilësor.

Edi Rama: Kjo javë nisi me pjesëmarrjen në Samitin e Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën, thirrur nga Presidenti Emmanuel Macron në Pallatin Élysée, ku kisha nderin të isha edhe unë ndër të ftuarit për të përfaqësuar Shqipërinë.

Në tërësi, takimi shërbeu për të bërë një bilanc të gjithë përpjekjeve të njehsimit të pozicionit dhe të koordinimit të forcave e të ndarjes së detyrave mes Shteteve të Bashkuara, Koalicionit të Vullnetmirëve dhe Ukrainës, në kuadër të garancive të sigurisë së nevojshme për hapjen e rrugës drejt kompromisit dhe paqes pas një lufte që ka marrë vërtetë tejet shumë jetë njerëzish.

Por, gjatë qëndrimit tim në Paris, u takova edhe me Ministrin e Drejtësisë së Francës, me të cilin diskutuam mbi pjesëmarrjen e partnerëve francezë në grupin e reflektimit që kemi nisur për problematikat e politikës penale në Shqipëri, si dhe mbi konsolidimin e draftit të ri të Kodit Penal, në harmoni të plotë me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.

Siç e kam thënë na duhet një reflektim i madh, serioz dhe largpamës mbi politikën penale në Shqipëri, sepse duhet të adresojmë problematika të mprehta, por njëkohësisht të mbrojmë pavarësinë, të nxisim paanësinë dhe të rrisim cilësinë e drejtësisë në këtë vend, ku kemi më në fund një drejtësi të pavarur, falë lidershipit të Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe mbështetjes bipartizane të popullit shqiptar, po nuk kemi ende as një drejtësi të paanshme e as një drejtësi cilësore. Nuk është e lehtë, por unë nuk i jam përkushtuar politikës për të bërë gjëra të lehta apo për t’i marrë lehtë gjërat e rënda. Përkundrazi./Versus.al

7 ORE ME PARE

Rama: Hedhjet e plastikës në rrugë, krim, plehrat që sjellin prurjet e lumenjve tani janë të neveritshme

Përmbytjet në vend, Rama: Hedhjet e plastikës në rrugë,
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka folur ashpër për rolin e faktorëve njerëzorë në përkeqësimin e situatave të përmbytjeve, gjatë një deklarate në podcastin “Flasim”.

Duke iu referuar reshjeve intensive të ditëve të fundit, Rama theksoi se sasia e shiut që ra brenda katër ditësh ishte e barabartë me mesataren mujore të janarit, por sipas tij, përtej kushteve atmosferike dhe ndryshimeve klimatike, pesha e njeriut është vendimtare.

Ai u ndal veçanërisht te ndotja masive nga plastika, duke e cilësuar si “të frikshme, të neveritshme dhe kriminale” pamjen e lumenjve të mbushur me mbetje.

Rama kritikoi ashpër hedhjen e shisheve dhe qeseve plastike në rrugë e në natyrë, duke e quajtur këtë sjellje një përdhosje të Shqipërisë, të identitetit kombëtar dhe të emrit shqiptar.

Kryeministri deklaroi se qeveria nuk do të dorëzohet dhe paralajmëroi masa të reja për sensibilizim, informim dhe ndëshkim ndaj ndotjes së mjedisit. Sipas tij, çdo veprim i tillë ndaj natyrës ka vetëm një përkufizim: “krim”.

“Ama përtej vorbullës atmosferike, ndryshimit klimatik, sasisë së reshjeve që në katër ditë ishte sa mesatarja e muajit janar, pra 30 ditëve reshje, në pesë vitet e fundit, faktori njerëzor ka peshën e vet. Ka peshën e vet për mirë ose për keq, njësoj siç edhe infrastruktura ka peshën e vet për mirë ose për keq. Jo për t’i ndalur, por për t’i bërë më të kontrollueshme, këto masa të jashtëzakonshme reshjesh dëbore dhe prurjesh. Ndërkohë që, ne si qeveri, jemi të qartë për nevojën e vazhdimit te investimeve në sistemin mbrojtës të vendit, unë nuk e di fare sinqerisht se si i bëhet harbutërisë ekstreme ndaj natyrës që manifestojmë orë e çast ne si popull! Po troç, ne si popull! Prurjet marramendëse të plastikës nga lumenjtë në këto raste, janë të frikshme, janë të neveritshme, janë kriminale në kuptimin e plotë të fjalës. Hedhja rrugëve e shisheve dhe qeseve plastike, si të ishte ky vend, jo atdheu ynë i përbashkët, po një kosh plehrash në një territor që s’na përket me të cilin s’kemi lidhje, ku, kudo ku na teket, lëshojmë si lopa bajgat, mbetjet e konsumit tonë, është diçka, që e mbulon tamam me bajga flamurin e pavarësisë tonë si shtet, librin e historisë së përpjekjeve tona shekullore si komb për të jetuar në shtetin tonë, fytyrën e secilit prej nesh si njerëz të këtij populli e si qytetarë të Europës, që mbajmë emrin shqiptar, të cilin e mbajmë me të drejtë me krenari në shumë raste, të cilin e ndiejmë me të drejtë si vërtetë fjalën kyçe që na bën të ndihemi krenarë kur je në stadium, por të cilin e përdhosim, emrin shqiptar, duke përdhosur Shqipërinë, duke përdhosur natyrën e Shqipërisë, duke përdhosur fytyrën e Shqipërisë.

Ne si qeveri e si shumicë popullore, sidoqoftë nuk do të dorëzohemi, e do të dalim më tej me masa të reja kundër kësaj fuqie të errësirës në trurin tonë si milet, duke rritur përpjekjet për sensibilizim, informim, por edhe ndëshkim po ashtu. Por në të gjitha rastet është e domosdoshme që gjithësecili të ftillohet sepse kjo që ndodh dhe ajo që i bëjmë ne Shqipërisë, duke hedhur një shishe plastike apo duke hedhur një qese plastike në rrugë ka vetëm një fjalë që e përkufizon, krim”, tha Rama./ Versus.al

Tags:

edi rama

Poll