
Miranda dhe Fatmiri, një çift bashkëshortes nga Prrenjasi, ishin të dielën e 8 shkurtit në rubrikën “Shihemi në Gjyq” me juristen Eni Çobani, për të kërkuar zgjidhje për një problem me një borxh të pa shlyer nga daja i Fatmirit, por edhe më një çështje pronësie.
Fatmiri dhe dy vëllezërit e tij kanë një shtëpi të përbashkët në Prrenjas, qytetin e lindjes, të cilën ua ka lënë trashëgimi babai tyre i ndjerë. Por, çifti tregon se vëllai i madh Çlirimi, nuk i ka lejuar të futen. Ata tregojnë se për shkak se dera ishte e mbyllur, janë detyruar që të hyjnë nga dritarja.
Ata kanë 21 vite pa marrë lekët e dhëna borxh dhe ende pa certifikatën e pronësisë në duar, e kanë bërë Mirandën që të humbë durimin, madje siç vetë ajo shprehet edhe dashurinë për bashkëshortin e saj Fatmirin.
Në rubrikën “Shihemi në Gjyq” ajo i drejtohet bashkëshortit me tone të ashpra, për faktin që ai i dha lekë borxh dajës së tij. Ajo shprehet se nuk e konsideron më bashkëshort Fatmirin, kurse ky i fundit nuk heq dorë, teksa i thotë “bashkë me ty deri në fund”.
Miranda: Me mua nuk ka më punë ai!
Eni Çobani: Janë 25 vjet! Për lekët do e nxjerrësh burrin nga shtëpia?
Miranda: E nxjerr, se kam punuar me këta krahë.
Fatmiri: Nuk e bëra vetëm për vete! E bëra për ty, për mua dhe për fëmijët.
Miranda: Ku i ke lekët, a e more certifikatën e pronës të bëjmë shtëpinë.
Eni Çobani: A ka qenë korrekt Fatmiri deri tani?
Miranda: Ka qenë korrekt. Është i mirë për mua vetëm për dashuri. Unë nuk dua më dashuri. Lekët që punon dua që t’i sjellë në shtëpi dhe jo t’ia japë dajës e të mos ia sjellë më. Këtu e tutje ai nuk ka punë me mua më.
Fatmiri: Si nuk kam punë?
Eni Çobani: E ke vendosur?
Miranda: E kam vendosur!
Fatmiri: Bashkë me ty deri në fund!

