
Një 19-vjeçar me origjinë shqiptare, por me shtetësi italiane, ka përfunduar në arrest shtëpiak në Itali, i akuzuar si një nga figurat kyçe të një rrjeti të rrezikshëm ekstremist që përhapte propagandë neonaziste, antisemite dhe thirrje të hapura për dhunë.
Operacioni i gjerë i zhvilluar nga DIGOS i Milanos, në bashkëpunim me disa qytete të tjera italiane dhe nën koordinimin e Departamentit të Procedurës Penale, çoi në arrestimin e të riut në Pavia dhe në kryerjen e të paktën 15 kontrolleve ndaj personave të tjerë nën hetim.
Sipas mediave italiane, i riu dyshohet se ishte organizatori dhe promotori i një grupi online të quajtur “Pozicioni i Tretë”, një referencë direkte ndaj lëvizjeve ekstremiste të djathta italiane të viteve ’70. Në këto hapësira virtuale, të mbushura kryesisht me të rinj – madje edhe të mitur deri në 15 vjeç – përhapej një gjuhë urrejtjeje ndaj emigrantëve, hebrenjve dhe komuniteteve të tjera, duke glorifikuar figura dhe akte terroriste.
Hetimet zbuluan se grupi jo vetëm shpërndante propagandë, por edhe nxiste veprime konkrete. Referencat ndaj autorëve të sulmeve terroriste si Brenton Tarrant apo Stephan Balliet ishin të shpeshta, ndërsa në disa raste janë shpërndarë edhe udhëzime për prodhimin e eksplozivëve artizanalë.
Në fokus të hetimit ishte edhe një tjetër kanal i quajtur “Nuova Italia”, i administruar nga të mitur, ku publikoheshin simbole fashiste, foto armësh dhe video me përmbajtje të rrezikshme. Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan thika, flamuj dhe materiale propagandistike.
Po ashtu, janë dokumentuar edhe video në rrjetin social TikTok, ku 19-vjeçari publikonte mesazhe ksenofobike dhe antisemite, duke sulmuar figura publike, përfshirë kryeministren Giorgia Meloni dhe liderë të opozitës, të cilat i etiketonte me gjuhë urrejtjeje.
Sipas urdhrit të gjyqtares hetuese Rossana Mongiardo, aktiviteti i tij konsiderohet i rënduar nga motivet racore dhe fetare, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbuluar përmasat e plota të këtij rrjeti dhe lidhjet e mundshme me grupe të tjera ekstremiste në Evropë. /VERSUS

