POLITIKË /

“Berisha e ngrinte ‘puçiste’ dhe e ulte ‘lav*re Bulevardi’ kryeprokuroren”, Rama paralajmëron gjyqtarët: Mos u merrni me mesazherin, por me mesazhin

Kryeministri Edi Rama thekson se pavarësia e drejtësisë është arritje e Partisë Socialiste, paralajmëron për rreziqet e tepërimit në emër të antikorrupsionit dhe nënvizon se thirrjet e tij për përgjegjësi ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk janë presion, duke e krahasuar qeverisjen e tij me kohën e ish-kryeministrit Sali Berisha, kur drejtësia shpesh u ndikua politikisht.

Shkruar nga Versus
“Berisha e ngrinte ‘puçiste’ dhe e ulte ‘lav*re
Edi Rama

Gjatë mbledhjes me deputetët dhe ministrat socialistë, kryeministri Edi Rama përcolli mesazhe të qarta për gjyqtarët dhe prokurorët, duke theksuar se pavarësia e drejtësisë është një arritje e Partisë Socialiste dhe se qeveria e tij ka qenë mbështetësja më e madhe e këtij procesi historik.

Rama paralajmëroi se Shqipëria nuk ka luksin të gabojë apo të vonohet në rrugën e zhvillimit dhe kritikoi atë që e quajti tepërim në emër të antikorrupsionit, duke e cilësuar si një rrezik potencial për ekonominë dhe stabilitetin e vendit.

“Ne nuk kemi luksin, Shqipëria nuk e ka luksin të vonohet për t’i nxjerrë këto mësime dhe këto rreziqe janë serioze. Kur antikorrupsioni bëhet një kurë e dëmshme më shumë se vetë korrupsioni, duhet të kuptohet se çfarë po ndodh,” tha Rama.

Kryeministri shtoi se deklaratat e tij për institucionet e drejtësisë nuk janë presion, por thirrje për përgjegjësi dhe standarte më të larta profesionale, duke rikujtuar se qeveria që ai drejton ka dorëzuar “shpatën e drejtësisë” në duart e institucioneve përkatëse.

Ai krahasoi situatën aktuale me kohën e ish-kryeministrit Sali Berisha, duke përmendur ish-kreun e SPAK, Altin Dumanin, si “prokurorin më kurajoz”, dhe nënvizoi se PS vazhdon të jetë faktori më mbështetës i pavarësisë së drejtësisë, edhe përballë kriticizimeve për gabimet e sistemit.

Rama përfundoi duke theksuar se çdo kritikë ndaj tij si mbështetës i drejtësisë duhet kuptuar si kujdes për funksionimin korrekt të institucioneve dhe jo si presion politik.

"Pavarësisht faktit që unë nuk jam aktor politik, por kryeministri i dalë nga një votë popullore që i dha PS një fitore të hatashme dhe kjo parti nuk e ka një konkurrent në historinë botërore si faktori qeverisës më mbështetës i pavarësisë në drejtësi dhe faktori politik më i heshtur nga fajet dhe gafet, në thelb unë ngre probleme serioze me të cilat duhet të merren në fakt pikërisht hartuesit e atyre deklaratave të kota dhe para se të shkruajnë me kollaj fjalën presion, është fjalë e madhe presion, për mbështetësin më të madh të pavarësisë së tyre që jam unë, mirë është ta kujtojnë se ku ishin fshehur kur paraardhësi e ulte dhe e ngrinte lavire prokuroren e përgjithshme.

Ose nëse ju vjen zor ta kujtojnë ku ishin fshehur, le të mos e harrojnë se tani sot në këtë kohë atij që s’u bë dot pasardhësi im pasi ishte paraardhësi im, nuk ia artikulojnë dot jo një deklaratë po gjysmë llafi, pasi del dhe i lexon librin e shtëpisë prokurorit tonë më kurajoz mu te dera e SPAK'' tha Rama ndër të tjera. /Versus.al

Tags:

edi rama

Poll