
Kryeministri Edi Rama në një intervistë për ‘’Shqipëria Live’’ deklaroi se e kishte menduar dorëheqjen si një mundësi në kushtet kur i pamundësohet ushtrimi i detyrës. Por shtoi se do ta çojë mandatin qeverisës deri në fund me argumentin se është votuar nga shumica e shqiptarëve dhe se ka një kontratë me ta.
‘’Mbase e nxjerrë nga konteksti kjo gjë duket sikur e kam patur një dilemë. Por e kam menduar si një mundësi në kushtet kur gjërat që janë këtu për të bërë bëhen të pamundura. Edhe e kam folur në këtë sens. Në rast se e flasim konkretisht, unë kam një kontratë me shqiptarët dhe do ta respektoj deri në fund, nuk diskutohet’’- tha Rama.
Sa i takon protestave ai tha se numri i të protestuesve nuk ka rëndësi dhe se protesta është krejt normale në një vend demokratik.
‘’Po çfarë problemi ka që ndodhin protestat, janë pjesë e jetës demokratike shoqërore në një vend të lirë. Njerëzit protestojnë, por protestat nuk janë matje force dhe as nuk maten me numra. Pavarësisht se mund të jenë të mëdhenj apo të vegjël, maten me kauzat, kërkesat e me radhë’’- shtoi kreu i qeverisë. Versus.al

