
Kryeministri Edi Rama mori sot pjesë në konferencën për përballjen me manipulimin e informacionit dhe ndërhyrjen e huaj. Teksa foli për rrezikun ku ndodhen sot shtetet përsa i përket informacioneve të rreme që shpërndahen, Rama mori si shembull edhe protestat masive që mbahen në Shqipëri prej rreth 2 muajsh tanimë.
Pavarësisht se disa ditë më parë pretendoi se qeveria kishte reflektuar nga "flamingot" dhe pranoi se qytetarët kishin të drejtë, duke folur në anglisht, ai tha se “Revolucioni i Flamingove” u organizua nga armiqtë e Shqipërisë në kushtet kur vendi ndodhet gjithmonë e më shumë pranë BE.
“Besoj jeni mjaft të informuar për atë ashtuquajturin ‘Revolucion i flamingove’. Është një shembull i jashtëzakonshëm i një çarje që u bë një mënyrë e armiqve tanë për të hyrë për të organizuar një operacion shumë të madh trollesh e avatarësh. Ndërkohë që ecim me vendosmëri në fazën e fundit të negociatave për anëtarësim në BE, është thelbësore të forcojmë rezistencën kundër sulmeve hibride. Është një hap i rëndëisshëm drejt ndërtimit të një shoqërie rezistente duke mos minuar normat e saj demokratike”- u shpreh Rama.
Ndërsa shtoi se mbetet pesimist përsa i takon masave të ndërmarra nga shtetet për të dalluar lirinë e fjalës dhe atë të shpërndarjes së informacionit të rremë.
“Gënjeshtra kishte bërë xhiron e botës derisa e vërteta po vishte pantollonat. Nuk dua të jem pessimist, por nuk jam shumë optimist për aq kohë sa nuk do të bëjmë dallimin e qartë mes lirisë së fjalës e shpërndarjes. E drejta për të shpërndarë informacion tek çdokush për t’u thënë çdo gjepur të mundshme, nuk është e drejta për lirinë e fjalës”- shtoi Rama. Versus.al

