POLITIKË /

Nga dosjet e hipotekës tek kastravecat dhe memet në Kuvend, bëmat e Korreshit me pronat në Lushnje

Shkruar nga Versus

Nga dosjet e hipotekës tek kastravecat dhe memet në Kuvend, bëmat

Deputeti demokrat, Saimir Korreshi është i njohur për batutat e tij dhe deklaratat ironike me ‘minj e mace’ që shpesh herë bëjnë të qeshin deputetët në sallë dhe qytetarët që i ndjekin.

Por duket se duket se kjo ka qenë një mënyrë e zgjedhur nga vetë deputeti i cili duke u shfaqur herë pas here në Kuvend me produkte të ndryshme bujqësore e duke përdorur më shumë banalizime të debateve vërtet shqetësuese, ia ka arritur të shmangë diskutimet për të shkuarën e tij lidhur me kohën kur drejtonte hipotekën e Lushnjës.

Gjatë kohës të qeverisë Berisha, Korreshi ka mbajtur poste të larta në administratë ku ka qenë Inspektor i Hipotekës në Tiranë e më pas Kryeregjistrues i ZVRPP Lushnje.

Sipas Lexo.al Korreshi ka firmosur në tjetërsimin e pronave në zonat më të lakmuara të Lushnjës dhe për këtë ka shkuar edhe në prokurori.  Denoncimet e qytetarëve të prekur nga firma e ish-Kryeregjistruesit të Hipotekës Lushnje janë një tjetër dëshmi e manovrave që Korreshi ka bërë, deri në nivelin që Korreshi u afrua në PD për t’u bërë më pas deputet.

Në dokumentacionin origjinal që Lexo.al disponon, duket qartë jo vetëm firma e Saimir Korreshit në një Certifikatë Pronësie të vitit 2010, por edhe praktikat e dyshimta të regjistrimit të disa pronave. Pa llogaritur këtu rastet e abuzimeve me legalizimet, apo siç është rasti më i rëndë: Falsifikimi i Certifikatave të Pronësive për qëllime elektorale.

Në një denoncim të shtetasit L.S, drejtuar këtë vit Agjencisë së Kadastrës Shtetërore, denoncohet skandali si më poshtë duke listuar edhe rasyet që e kanë çuar Saimir Korreshin të bëjë çorap pronat e Lushnjes:

“Arsyeja e parë, lidhej me mashtrimin e banorëve të zonave që kishin për të regjistruar pasurinë e tyre nga ish drejtuesit e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lushnje, kjo për qëllime të qarta elektorale si për zgjedhjet parlamentare të viteve 2009 dhe 2013, si dhe, për zgjedhjet vendore të vitit 2011.

Arsyeja e dytë, lidhej me afera krejt korruptive, ku banorë të këtyre zonave pajiseshin me certifikata pronësie për sipërfaqe banese, tokë truall apo tokë are, në një kohë që, nuk rezultonte brenda zyrave të ishte dokumentacioni i nevojshëm për posedimin prej tyre të këtyre pronave. Më pas, këta shtetas që përfitonin nga këto certifikata të falsifikuara për pasuri të paluajtshme, i shisnin këto pasuri te persona të tjerë, duke i mashtruar blerësit e tyre, e duke siguruar të ardhura nga mashtrimi”.

Në denoncmin në fjalë, shtetasi L.S me banim në Lushnje tregon sesi certifikatat e lëshuara nga Korreshi kanë shkaktuar problem të vazhdueshme gjatë përdorimit të tyre.

“Nxjerrja e tyre nga zyrtarët e ngarkuar me ligj është realizuar duke shkelur legjislacionin e kohës, pasi dokumentacioni që shoqëronte nxjerjen e tyre nuk ka qenë conform detyrimeve ligjore në fuqi” – vijon denoncimi teksa thekson se shumë nga të mashtruarit nga Korreshi dhe sekserët e tij janë detyruar më pas të ri-aplikojnë.

Nga dosjet e hipotekës tek kastravecat dhe memet në Kuvend, bëmat

Kjo është një pjesë e ‘bëmave’ të deputetit demokrat që ka zgjedhur të konkurrojë me memexhinjtë e rrjeteve sociale sepse ska faj, jemi në vitin 2026. Por e gjithë padrejtësia me pronat që ka bërë nën petkun e ish-Kryeregjistruesit po rëndon edhe sot mbi lushnjarët. Media jonë disponon dosje voluminoze me emra, firma e dokumente konkrete që do të publikohen ditët në vijim. Ndërkohë që inkurajojmë raste të tjera që të denoncojnë të gjithë masakrën e pronave në Qarkun Fier 2009-2013. Versus.al

Poll