POLITIKË /

'Nuk e injoruan ‘SOS-in’ e tij', Sali Berisha zbulon "mesazhin" që mori Daniel Shima: Hape gojën, e ke plumbin pas veshi

Sipas Berishës Daniel Shima është kërcënuar të mos flas dhe më e keqja, mund të ishte zhdukur por u rikthye për shkak të bujës së menjëhershme në media.

Shkruar nga Versus

'Nuk e injoruan ‘SOS-in’ e tij', Sali Berisha zbulon

Ish-kryeministri Sali Berisha në një konference për gazetarët ditën e sotme, 21 gusht ka zbuluar mesazhin që sipas tij ish-zvvëndësdrejtori i AKSHI-it ka marrë në ditën kur ai u zhduk.

Sipas Berishës Daniel Shima është kërcënuar të mos flas dhe më e keqja, mund të ishte zhdukur por u rikthye për shkak të bujës së menjëhershme në media.

"Hape gojën po deshe, e ka plumbin mbas veshi ai. Çfarë flet. Ai pa atje që mund ta varrosnin të gjallë në bodrum. I thanë kaq, nuk po e bëjmë këtë. Se ata kishin hallin e tyre se u bë zhurmë. Po fole do pësosh atë.

Tani nuk flet ai. Se ai po të ishte njeri i lirë, ai del dhe falënderonte mediat që ndoqën çdo minutë gjendjen e tij dhe e shpëtuan. Nuk e injoruan ‘SOS-in’ e tij. Nuk flet dot ai", është shprehur lideri i opozitës, duke theksuar se e njëjta gjë ka ndodhur me Lefter Kokën e Erion Veliaj në qeli.

Sipas Sali Berishës, këta ish-zyrtarë të shtetit janë kërcënuar të mos flasin, në të kundërt pasojat do të jenë të mëdha. Për Lefter Kokën, Alqi Bllakon dhe Erion Veliajn që mbahen në qelitë e Durrësit, ish-kryeministri shtoi se kërcënohen përmes Troplinëve.

Shima u zhduk për më shumë se 10 orë ditën e djeshme, 20 gusht duke humbur çdo kontakt me familjarët dhe të dashurën e tij.

Pak para se të zhdukej ai i kishte dërguar një mesazh të dashurës ku i thoshte se po e arrestonin.

Ishte nëna e Shimës që lajmëroi policinë të cilët thanë se nuk është lëshuar asnjë urdhërarresti për djalin e saj.

Shima u kthye në banesë rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm dhe u paraqit në komisariat ku sipas deklaratës së dhënë nuk ka asnjë pretendim për rrëmbim apo arrestim, por ishte larguar me dëshirë. Burime nga Policia, por nga jo vetë Shima, thanë se arsyeja e largimit ishte një konflikt me partneren./Versus.al

Poll