
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, priti sot në një takim zyrtar kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Gjatë fjalës së tij publike, Netanyahu vlerësoi rolin e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke theksuar se numri i hebrenjve në vend nuk u pakësua, por u rrit falë mbrojtjes dhe ndihmës së dhënë nga shqiptarët.
Ai përmendi se myslimanët shqiptarë shpëtuan qindra hebrenj, duke ndihmuar edhe të tjerët të mbijetonin, një histori që sipas Netanyahut meriton të njihet më gjerësisht në nivel ndërkombëtar.
Kryeministri izraelit e cilësoi këtë si një rol moral të rëndësishëm të Shqipërisë gjatë orëve më të errëta të historisë.
Netanyahu u ndal gjithashtu tek mbështetja e Shqipërisë ndaj Izraelit pas sulmeve të fundit, duke theksuar se kjo vlerësohet lart nga autoritetet izraelite.
Në fushën ekonomike dhe turistike, ai deklaroi se numri i turistëve izraelitë në Shqipëri është rritur rreth 800%, me pritshmëri për rritje të mëtejshme. Po ashtu, sipas tij, kompani izraelite shohin në Shqipëri mundësi për investime dhe bashkëpunim ekonomik.
“Ju qëndruat krah së vërtetës, krah Izraelit kur u sulmuan, është diçka që e vlerësojmë thellësish. Ne po ndërtojmë marrëdhënie të shkëlqyera mes Izraelit dhe Shqipërisë. U them izraeliteve që Shqipëria është një vend i mrekullueshëm: shkoni atje.
Ne po kështu kemi mirëkuptim që shkon përtej interesave. Në ndjesën më të thellë njohim që ka një themel afërsie dhe vëllazërie mes popujve tanë”, u shpreh kryeministri i Izraelit.
Netanyahu shtoi se marrëdhëniet mes dy vendeve do të forcohen edhe më tej me hapjen e Dhomës së Tregtisë në Jerusalem, e cila pritet të inaugurohet nesër në prani të kryeministrit Rama.
Në përmbyllje, ai theksoi se lidhjet mes Shqipërisë dhe Izraelit shkojnë përtej interesave praktike, duke u mbështetur edhe në një ndjesi afrimi dhe simpatie midis dy popujve./Versus.al


