
Kryedemokrati Sali Berisha gjatë bashkëbisedimit që pati me ndjekësit në rrjetet sociale hodhi akuza të drejtëpërdrejta për ish-deputetin Ervin Salianji duke e lidhur këtë të fundit me personazhe të botës së krimit.
Berisha tha se Salianji nuk përfaqëson asnjë demokrat, ndërsa përsëriti akuzën se sallat ia mbushin elementë të krimit të organizuar dhe PS-së!
“Ti vërtetë ke parë sallat, po të garantoj që sallat janë të mbushura tërësisht nga biznese me urdhër të qeverisë, nga drejtori burgjesh dhe nga bandat e qyteteve. Nga bandat e qytetit Elbasan, nga bandat e qytetit Durrës e të tjerë me radhë. Pra, ai përfaqëson, siç e sheh ti tani, ai e nisi, sepse të tjerëve nuk u shkonte mendja, por sot i ka ngelur vetëm dy pengje me vete”, tha Berisha.
Sipas Berishës, gjatë verës Salianji është takuar me biznesmenin e shpallur në kërkim nga SPAK për skandalin e AKSHI-t, Ergys Agasi dhe shtoi se sallat e takimeve në Elbasan ia kishte mbushur me njerëz i shumëkërkuari Suel Çela.
‘’Verën e kaloi me Ergys Agasin në dreka dhe darka. Në një kohë kur unë Ergys Agasin e kisha sulmuar me qindra herë si koordinator i karteleve të drogës. Tani, shkoi në Durrës dhe mblodhi, kë mblodhi? Eksponentë të Partisë Demokratike që tradhtuan Partinë Demokratike duke mos punuar absolutisht asnjë ditë në fushatë, apo që punuan për Partinë Socialiste, me fakte.
Unë i thashë, kjo veprimtari është jashtë Partisë Demokratike, nuk ka lidhje me Partinë Demokratike. Në Elbasan, sallën ia mbushi Suel Çela. Këtu je i përjashtuar, i thashë. Kjo është vija e kuqe. Krimi s'do mund kurrë dot këtë part’’- shtoi kreu i PD. Versus.al

