Gjatë fjalës së tij në nisje të samitit të Komunitetit Politik Europian, kryeministri Edi Rama propozoi që të mos ketë vetëm diskutime lidhur me armatimet dhe bashkëpunimin ushtarak, por edhe një zgjerim të shkëbimit të informacionit dhe të investimeve në ura lidhëse në arsim dhe shkencë.
‘’Më lini t’ju pyes. Pse të mos imagjinojmë një KPE të arsimit, shkencës dhe AI? Një aleancë ndërkombëtare përtej armatimit, terren dijesh, shkëmbimi informacioni ku territore që nuk janë ende anëtare të BE të bëhen mundësi të reja investimi. Një ringjallje e asaj që pasoi rënien e murit të Berlinit, ku Europa zbuloi anën e saj lindore.
Le t’ju japim të rinjve të Europës, bizneseve të reja, një arsye më të mirë për të qëndruar sesa të flasim vetëm për armë e armatim. Beteja jonë nuk mund të ketë të bëjë vetëm me qëndresën për çfarë mund të na bëjnë të tjerët, por edhe me atë që lidhet se çfarë mund të bëjmë për të rinjtë tonë’’- tha Rama.
Ai përmendi sërish rastin e atentatit ndaj presidentit amerikan Donald Trump para rizgjedhjes së tij, duke thënë se në këtë mënyrë Zoti e kishte edhe një plan për Evropën për ta rizgjuar.
‘’Kur Trump tha se Zoti e shpëtoi nga plumbi sepse kishte një plan për Amerikën, tha vetëm gjysmën e së vërtetës. Gjysma tjetër është se Zoti kishte një plan edhe për Europën. Nuk mund të ishte më e qartë sesa kaq. Europa edhe njëherë ka mundësi të dhuruar prej Zotit për të rishpikur veten’’- shtoi Rama. Versus.al







