Pasi kreu 9 muaj të dënimit me burg, ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji është liruar sot me kusht me vendim të gjykatës së Fierit.
Kërkesa për lirim ishte dorëzuar nga mbrojtja e ish-deputetit me argumentin se Salianji kishte kryer 2/3-ën e dënimit me 1 vit burg për kallëzim të rremë. Prokurori i çështjes ishte dakord me kërkesën ndërsa të njëjtin vendim mori edhe gjyqtari.
Salianji u shoqërua sërish për në ambientet e burgut të Fierit për kryerjen e procedurave të nevojshme të lirimit. Ndërsa njoftoi konferencë për mediat në orën 17:00 nga selia qendrore e Partisë Demokratike.
E vetmja dalje e mëparshme e Salianjit për mediat teksa ndodhej në burg ishte më 11 maj kur votoi brenda burgut.
Kujtojmë se ish-deputeti u dënua me 1 vit burg më 26 shtator 2024 për kallëzim të rremë në dosjen "Babale" ku akuzonte vëllain e Fatmir Xhafës ministrit të Brendshëm të asaj kohe se ishte i përfshirë në trafik droge drejt Italisë. Pavarësisht se vëllai i Xhafajt u dorëzua tek autoritetet italiane për të vuajtur dënimin, Salianji u dënua për publikimin e një përgjimi ku pretendonte se shfaqej Geron Xhafa duke komunikuar për veprimtarinë e tij kriminale.
Çfarë është dosja “Babale”?
Në pranverën e vitit 2018, deputeti i PD-së doli në një deklaratë për mediat dhe publikoi një audio-përgjim.
Salianji pretendonte se vëllai i ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj, ishte i përfshirë në trafik droge.
Sipas audio-përgjimit, vëllai i Fatmir Xhafajt, Agron Xhafaj komunikonte me një ish-trafikant, Albert Veliun, me pseudonimin Babalja. Më 18 dhjetor të 2019-ës, Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës dha vendimin për dosjen “Babale”. Fredi Alizoti u dënua me 2 vite burgim, ndërsa Ervin Salianji u dënua me një vit burg për akuzën e kallëzimit të rremë. Gjithashtu u dënua me 3 vite e 6 muaj burg Albert Veliu. Salianji e kundërshtoi këtë vendim dhe e ankimoi në Gjykatën e Apelit. Për më shumë se dy vite, dosja u zvarrit dhe pas mungesave të shumta të avokatëve, sot u dha vendimi përfundimtar. Ervin Salianji u dënua me një vit burg për kallëzim të rremë. Versus.al







