
Fundjava e fundit e muajit qershor ka sjellë fluks të lartë automjetesh në drejtim të zonave bregdetare të veriut, duke shkaktuar trafik të rënduar në aksin rrugor Lezhë-Milot dhe në segmentin që lidh qytetin e Lezhës me Shëngjin.
Që në orët e para të mëngjesit të së shtunës janë krijuar kolona të gjata automjetesh, ndërsa pjesa më e madhe e mjeteve mbajnë targa të Kosovës. Pushuesit po i drejtohen plazheve të Shëngjinit dhe Velipojës për të kaluar fundjavën, të ndikuar edhe nga temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin.
Për të lehtësuar qarkullimin dhe për të shmangur bllokimet, Policia Rrugore ka vendosur patrulla në nyjet më të ngarkuara, duke menaxhuar trafikun dhe orientuar drejtuesit e automjeteve në segmentet ku lëvizja është më e vështirë.
Autoritetet apelojnë për kujdes në drejtim të automjeteve dhe respektim të rregullave të qarkullimit, sidomos në orët me fluks më të lartë drejt zonave turistike.Versus.al

