
Një scorpions për të qëlluar në breshëri dhe një pistoletë, këto kanë qenë dy armët që përdori Ragip Gila për të kryer masakrën e 8 shtatorit në Shkodër duke lënë 2 të vdekur dhe 2 të plagosur brenda lokalit.
Vetë autori ishte i veshur me antiplumb i përgatitur në rast të ndonjë shkëmbimi zjarri. Ndërsa në lokal ndodhej shënjestra Erogen Vaso alias Brajoviç duke pirë kafe me truprojën e tij Liridon Krajën dhe punonjësin e IKMT Armando Palin, të cilët mbetën të dy të vdekur. Nga plumbat e pësoi edhe kamarierja 25 vjeçare Meri Kaceri e cila mbeti e plagosur dhe rrezikon të humbasë krahun nëse gjendja përkeqësohet.

Brajoviç i cili konsiderohet si një prej anëtarëve të fisit Bajri, ka deklaruar në polici se nuk e njeh autorin ndërsa ka shpjeguar dinamikën duke thënë se Ragip Gila kishte hyrë në lokal me skafandër motori dhe kishte nisur ta ndjekte duke e qëlluar me armë zjarri.
Policia ka marrë në pyetje edhe Mustafa Licin, pasi në banesën e motrës së tij e cila jeton jashtë shtetit u gjetën arsenal armësh dhe dyshohet se vrasësi është furnizuar aty. Lici ka deklaruar se e motra e kishte dhënë banesën me qira dhe se kishte kontratë për ta provuar. Ndërsa për armët e gjetura u shpall në kërkim Barush alias Bajram Bregu dhe një 17 vjeçar. Bregu, me precedentë të theksuar kriminalë njihet si krahu i djathtë i Ibrahim Licit. Përfshirja e tij në këtë ngjarje, ngjall dyshimet nëse kemi të bëjmë me larje hesapesh mes Licëve dhe Bajrajve pas masakrës së ndodhur tetorin e vitit të kaluar në Dobraç ku u ekzekutuan Hamza Lici dhe Arlind Bushati. Versus.al







