
Ditën e djeshme, Versus.al zbuloi disa detaje lidhur me dyshen e vëllezërve Florian dhe Ermal. P të cilët vijojnë me aktivitetin e paligjshëm të call center-ave pavarësisht se shumë prej “kolegëve” të tyre janë tashmë të arrestuar apo kanë zhvendosur jashtë vendit mashtrimet që kryenin ndaj qytetarëve të Bashkimit Europian.
Puna e tyre duket se vijon po me të njëjtin ritëm, ndërsa policia ende nuk ka marrë masa ndaj aktivitetit të paligjshëm të dy vëllezërve. Duket se në këtë aspekt mund të ketë ndihmuar edhe fakti se njëri prej tyre ka qenë funksionar policie. Në rrethet e ngushta, dy vëllezërit njihen si “dyshja e Saukut të vjetër”, ndërsa aktiviteti i tyre i shpërndarë në disa pika të Tiranës u ka sjellë përfitime të mëdha ekonomike falë mashtrimeve të qytetarëve të BE për investime në bursa fiktive.
Bizneset e Ermal. P me 5 mijë euro të ardhura dhe fshati turistik në Sauk
Për 2 vëllezërit, në media ka patur raportime të ndryshme përsa i takon bizneseve të tyre të shumta dhe pronave të siguruara falë bilanceve minimale, kur njëri prej tyre, Ermal. P deklaronte vetëm 5 mijë euro të ardhura në vit.
Pavarësisht kësaj, ai raportohet të jetë pronar i një firme ndërtimi dhe një klubi nate ku është aksioner edhe vëllai i tij, Florian. P. Firma e ndërtimit “Nike Construction” me adresë në Tiranë ka si objekt edhe projektimin e punëve publike si rrugë, ura e tunele. Kompania u hap në dhjetor të vitit 2024, ndërsa në muajin qershor të vitit 2025, Ermal. P ka aplikuar pranë Këshillit Kombëtar të Territorit dhe ka arritur të marrë leje për ndërtimin e një fshati turistik, vila me pishina në zonën e Saukut.
Dyshimet janë se paratë e fituara nëpërmjet mashtrimit të qytetarëve të BE, janë investuar në bizneset e Ermal.P, ndërsa vetë 38 vjeçari raportohet se është larguar drejt Emirateve të Bashkuara Arabe. Ndërkohë autoritetet ligjzbatuese shqiptare nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim, pavarësisht përmendjes së vazhdueshme të aktivitetit të paligjshëm të 2 vëllezërve. Versus.al


