
Teksa vendi është përfshirë nga moti i keq, Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEO) ka ka paralajmëruar qytetarët për reshje intensive dhe situatë të vështirë në disa zona të vendit.
IGJEO bën me dije se sot pasdite (e premte, 2 janar) dhe nesër (e shtunë, 3 janar) priten reshje me intensitet të lartë, kryesisht në veri dhe qendër të vendit.
Në qarqet Shkodër dhe Kukës mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje dherash.
Në zonat urbane të këtyre qarqeve mund të shfaqen gjithashtu probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.
Parashikimi i IGJEO për periudhën 3–7 janar 2026 tregon se reshjet intensive, kryesisht në veri dhe jug të vendit, do të shkaktojnë rritje të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Drin-Buna, Liqeni Shkodrës, lumi Mat, Shkumbin dhe Vjosë.
Ndërsa në njoftim theksohet se priten reshje intensive deri shumë intensive në Shkodër dhe Kukës, ndërsa në qarqet Lezhë, Dibër, Durrës, Tiranë dhe Elbasan priten reshje mesatare deri lokalisht intensive, shoqëruar me shtrëngata. Në qarqet e tjera reshjet do të jenë të dobëta deri mesatare. Në zonat malore dhe Alpe priten reshje dëbore.

