Gjatë seancës më 23 dhjetor 2025, për çështjen e Sterilizimit Ilir Beqaj ka bërë një deklaratë para trupës gjykuese, duke kërkuar që të mundësohet përdorimi i kompjuterit dhe printerit për përgatitjen e mbrojtjes së tij në rastin penal nr. 13/2020.
Beqaj theksoi se as ligji, as Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve nuk ndalon mbajtjen e këtyre pajisjeve, ndërsa pajisjet e komunikimit nuk do të përdoren.
Ai kritikoi ashpër mungesën e vullnetit nga administrata dhe institucionet për t’i mundësuar të paraburgosurve mjetet minimale për mbrojtje, duke paralajmëruar se mosmarrja e masave nuk duhet të kthejë paraburgimin në “verbëri dhe heshtje”.
Ndërsa nuk ngurroi të ironizonte Partinë Socialiste e Endri Shabanin për zgjedhjen e këtij të fundit si Avokat i Popullit. Beqaj tha se nuk i vjen habi nga fakti se PS votoi Shabanin për këtë post edhe pse ky i fundit ka dorëzuar kallëzimin në SPAK për koncesionin e Sterilizimit.
Deklarata e plotë e Ilir Beqajt në gjyq:
Deklarate #2 date 23.12.2025
E nderuar Gjykatë,
Sot nuk po kërkoj privilegj. Po kërkoj një minimum që e kërkon ligji dhe e kërkon dinjiteti i një procesi të rregullt.
Nga leximi i nenit 26 të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve nuk del që kompjuteri të jetë i ndaluar për t’u mbajtur nga i paraburgosuri, as në mjediset e banimit. Ajo që ndalohet është pajisja e transmetimit dhe komunikimit. Kompjuteri është pajisje për ruajtje dhe përpunim të dhënash. Këtë e kam mësuar para 40 vjetësh, kur kam nisur studimet për informatikë. Edhe printeri, po ashtu, nuk rezulton i ndaluar.
Atëherë le ta themi thjesht: nëse ligji nuk e ndalon, askush nuk ka të drejtë ta ndalojë me “zakon”, me “urdhër gojor” apo me frikëra administrative.
Prandaj kërkova të më mundësohet kompjuteri dhe printeri për përgatitjen e mbrojtjes, pa pajisje komunikimi/transmetimi, me çdo kontroll të arsyeshëm që gjykata dhe administrata burgjeve e çmojnë të nevojshëm sepse mbrojtja efektive nuk është dekor në Kushtetutë; është themel i drejtësisë.
Dhe po e them qartë. Mos e ktheni të drejtën e mbrojtjes në një formalitet letrash, vulash dhe pritjesh!
Mos e ktheni paraburgimin në verbëri dhe heshtje!
Mos ia lini përgjegjësinë njëri‑tjetrit:
“s’e kam unë”,
“e ka prokuroria”,
“e ka administrata”,
“e ka drejtoria”,
“e ka sistemi”, “
“e ka ligji”.
Sistemi nuk është askushi. Sistemi jeni ju: institucionet që vendosin dhe që përgjigjen.
Meqë kjo është seancë publike, duke shfrytëzuar praninë e medias, po e përcjell këtë kërkesë edhe për:
- të gjitha Prokuroritë;
- të gjitha Gjykatat;
- Ministrinë e Drejtësisë;
- Komisionet Parlamentarw të Ligjeve dhe të Drejtave të Njeriut;
- Komitetin Shqiptar të Helsinkit;
- Avokatin e Popullit.
Mundësoni që të paraburgosurit me masë sigurimi “arrest në burg” të përgatisin mbrojtje reale. Nuk ka asnjë pengesë ligjore. Ka vetëm mungesë vullneti dhe “larje duarsh”. Boll u fshehët pas gishtit.
E nderuar trupë gjykuese,
Zhvillimet jashtë kësaj seance në ditët e fundit e bëjnë këtë proces nga më të veçantët dhe, fatkeqësisht, nga më domethënësit për mënyrën si funksionon (apo si nuk funksionon) shteti i së drejtës.
Procedimi penal nr. 13/2020 është regjistruar mbi bazën e një kallëzimi të bërë nga personi që, sipas njoftimeve publike, para pak ditësh u zgjodh Avokat i Popullit në Shqipëri.
Kallëzimi është bërë më 23 dhjetor 2019. Si sot, fiks 6 vjet me pare.
Dhe sot ky person është ndër të parët në listën e dëshmitarëve të akuzës.
Pra, sot kemi këtë paradoks:
Ai që duhet të jetë zëri i qytetarit përballë pushtetit, del në rreshtin e akuzës;
Ai që duhet të jetë garanci kundër arbitraritetit, shfaqet si pjesë e mekanizmit që e ushqen atë.
Sipas deklarimeve të tij publike, ai është shprehur se është i lumtur që unë jam në pranga, edhe pse kjo nuk lidhet me kallezim e tij.
Sipas po deklarimeve publike, ai ka qenë në dijeni se i njëjti fakt penal ishte hetuar më parë dhe ishte pushuar hetimi; megjithatë bëri kallëzim sërish pa asnjë provë të re.
Ky nuk është “qëndrim”. Kjo është kulturë prangash.
Ky nuk është “interes publik”. Ky është interes për personin, jo për faktin.
Ky person, po ashtu, kërkoi shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe ajo kërkesë u rrëzua si antikushtetuese.
Dhe kur një njeri që duhet të ruajë standardin e të drejtave të njeriut e ul standardin publikisht, atëherë problemi nuk është thjesht një çështje penale. Është një problem i demokracisë.
Pra, një individ që ka tituj akademikë juridike dhe formim në institucione të njohura, por që, në vlerësimin tim, shfaq publikisht mospërfillje për parimin e gjësë së gjykuar dhe për prezumimin e pafajësisë, sot mban postin që duhet të mbrojë të drejtat e njerëzve.
Kjo është ironia më e hidhur e këtij vendi: posti i mbrojtjes së qytetarit përdoret si podium politik, ndërsa qytetari mbetet pa mjetet minimale për t’u mbrojtur në gjykatë.
Unë vetë mezi pres ditën kur ta kem përballë në gjykatë. Jo për spektakël, por sepse aty, përballë fakteve dhe ligjit, retorika bie dhe mbetet vetëm e vërteta.
Per mua qe vij nga politika nuk perben asnje çudi qe Grupi Parlametar i PS te votoje per nje post te larte kushtetues nje kundershtar politik dhe nje person qe ka kallezuar penalisht projekte dhe kontrata te qeverise se PS. Historia politike e Shqiperise nga 1912 deri me sot ka pare edhe me shume. Historia boterore nga Roma e lashte e deri me sot ka pare shume me shume.
Ajo që më habiti nuk ishte vota.
Ishte puthja. Jo puthja e zakonshme njerezore. Puthja me dore nga larg.
Deputetë që kanë 4 muaj në Parlament dhe deputetë që kanë aty 20 vjet. Të gjithë njësoj u ndezën nga puthja.
Pasuan duartrokitje ngazëlluese, të sinkronizuara, me intensitet sikur cili ligj i rendesishem te ishte miratuar.
Ose ndoshta keta 18 muaj paskam humbur une sensin e realitetit.
Në mbyllje, i uroj trupës gjykuese dhe përfaqësuesve të prokurorisë, avokatëve, trupës policore dhe sekretarisë, si edhe të akuzuarve, që sot janë këtu vetëm sepse u qëlloi një herë në jetë të kenë punë me mua, shëndet për vete e për familjet e tyre dhe punë të mbarë. Nga mot, gëzuar Vitin e Ri 2026!
Ilir Beqaj/Versus.al


