
Frika nga dekonspirimi duket se e ka ndjekur deri në çastet e fundit operacionin kundër rrjetit të call center-ave mashtrues në Tiranë, të dyshuar për zhvatjen e miliona eurove nga qytetarë europianë.
Megjithatë, sipas burimeve për Versus.al një punonjëse e penduar, e kapur gjatë ndërhyrjes së policisë më 13 prill, ka zbërthyer para hetuesve gjithë skemën, kontaktet me viktimat, ndarjen e roleve dhe emrin që dyshohet se qëndron në krye të rrjetit, Granit Pepnika.
Sipas dëshmisë së saj, Pepnika ishte i njohur për stafin si bos i brendshëm i aktivitetit, ndërsa në zyrën e tij, brenda call center-it, u sekuestrua edhe kompjuteri personal, i cili pritet të shërbejë si provë kyçe për hetimin.
Granit Pepnika, deri tani i panjohur për autoritetet, është vënë në qendër të hetimeve të drejtuara nga prokurorja e Tiranës, Rovena Zoto, dhe ndaj tij pritet të lëshohet urdhër-arresti, ndërsa ka dyshime se ai nuk ndodhet më në Shqipëri.
Ndërhyrja e policisë në godinën në qendër të Tiranës, tek Rruga e Kavajës, gjeti call center-in që zhvillonte aktivitetin në dy kate.
Në momentin kur grupi hetimor ishte në katin e gjashtë, personat që ndodheshin dy kate më sipër, në të tetin, u larguan përmes ashensorit.
Paralelisht, u ndërhy edhe në dy call center të tjera pranë Kopshtit Zoologjik në Tiranë, po në pronësi të Pepnikajt të vendosura në katet e para të bizneseve në një pallat, ku u gjetën punonjës, megjithëse në numër të vogël.
Në këto ambiente u sekuestruan salla të mbushura me kompjuterë, telefonat e operatorëve, kompjuterët e drejtuesve të ekipeve “team leader”, si dhe lista klientësh të mashtruar, emra punonjësish dhe shumat që ata kishin arritur t’u vidhnin qytetarëve të huaj me mashtrim.
Po aty, hetuesit gjetën edhe një listë me adresat e call center-ave të tjerë të shpërndarë në kryeqytet, një material që konsiderohet i rëndësishëm për zgjerimin e hetimeve.
Hetimi dyvjeçar, i nisur nga prokurorja Rovena Zoto në bashkëpunim me policinë dhe partnerët austriakë, u aktivizua pas denoncimeve të shumta të qytetarëve austriakë të mashtruar nga call center-at në Tiranë.
Sipas të dhënave të hetimit, shifra që Pepnikaj dyshohet se ka përvetësuar nga qytetarët europianë kap vlerën e rreth 50 milionë eurove./Versus.al


