Prokuroria Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po përdor metoda të avancuara për të ndjekur dhe analizuar stilin e jetesës së personave që ka nën hetim, si dhe të rrethit të tyre të afërt.
Ky proces monitorimi, i ngjashëm me një “Big Brother”, zbatohet sipas një udhëzimi të posaçëm që disponon Top Channel, ku hetuesit financiarë orientohen për të zbuluar pasuritë e pajustifikuara të të dyshuarve për krim të organizuar dhe korrupsion.
Në këtë mënyrë, hetuesit nuk mbështeten vetëm në databaza shtetërore, por shfrytëzojnë edhe burime të hapura online. Konkretisht, vëzhgohen llogaritë në rrjetet sociale, postimet në blogje, komentet në forume, galeritë e fotografive, si dhe videot e publikuara në YouTube.
Sipas këtij udhëzimi, analiza fokusohet veçanërisht në përcaktimin e rrethit të miqve dhe interesave të personave nën hetim, stilin e jetës, vendet ku frekuentojnë për argëtim dhe rekreacion, pasuritë e tyre të paluajtshme dhe të luajtshme, si dhe automjetet që përdorin në fakt.
Zyrtarisht, SPAK njofton se vetëm gjatë vitit të kaluar ka sekuestruar asete dhe llogari në vlerë prej 65 milionë eurosh, prej të cilave 36.7 milionë euro kanë kaluar nën pronësi të shtetit përmes vendimeve për konfiskim të pasurive.
Çështjet e sekuestrove preventive trajtohen në Gjykatën e Posaçme në Tiranë, në seanca me dyer të mbyllura.
Në udhëzim pranohet se hetimi penal ndaj personave nën dyshim shoqërohet paralelisht edhe me një hetim financiar dhe pasuror, ku prokurorët ndërtojnë profile të hollësishme mbi pasuritë dhe stilin e jetesës së tyre.
Megjithatë, avokatët kanë shprehur shqetësime, duke theksuar se ligji anti-mafia, i cili përdoret për sekuestro preventive, ka krijuar vështirësi për familjarët e të dyshuarve, të cilët përballen me barrën e provës.
SPAK nënvizon se krimi i organizuar vazhdon të investojë paratë e pista në mënyra të ndryshme, përfshirë apartamente, ndërtim, ullishta, njësi tregtare, automjete luksoze, orë të shtrenjta, flori, por edhe në kriptovaluta.







