Një ngjarje e rrezikshme dhe me nuanca të thella kriminale ka tronditur Durrësin pasditen e së shtunës. Policia ka zbuluar një sasi eksplozivi të vendosur në mënyrë të sofistikuar, pikërisht në hyrje të ish-hotelit të Vangjush Dakos, ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit, në lagjen nr. 1, pranë gjimnazit “Gjergj Kastrioti”.
Burime të sigurta bëjnë me dije se lënda plasëse, e dyshuar artizanale, ishte fshehur brenda një vazoje lulesh, një vend perfekt për të kaluar pa u vënë re nga syri i rastësishëm. Ajo ishte e lidhur me një telefon celular, çka ngre dyshime të forta se eksplozivi ishte i gatshëm për t’u aktivizuar në distancë, në çastin e duhur.
Një atentat i mirëorganizuar? Një mesazh mafioz? Apo diçka më shumë? Deri më tani, nuk ka asnjë person të dyshuar, ndërsa taktikisht, vendosja në një objekt jashtë funksionit, por me peshë simbolike, pasi njihet si pronë e ish-kryebashkiakut historik në Durrës, flet shumë...
Njësia Antieksploziv e RENEA-s, së bashku me grupin hetimor, ka kryer shpërthimin e kontrolluar të mjetit, ndërsa hetimet janë përqendruar në verifikimin e pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë, analizimin e mekanizmit të ndezjes, dhe gjurmimin e numrit të telefonit të përdorur për aktivizim.
Policia ka konfirmuar për mediat:
“Në hyrje të një ndërtese (ish-hotel, jashtë funksionit), në një nga vazot e luleve është gjetur një sasi e dyshuar lëndë plasëse, dyshohet artizanale. Grupi hetimor, në bashkëpunim me Njësinë Antieksploziv të RENEA-s, po kryen veprimet për sqarimin e rrethanave, përcaktimin e llojit të lëndës së gjetur, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.”
Për Durrësin, një qytet ku tensionet e nëndheshme mes krimit, biznesit dhe politikës kanë zier herë pas here, ky nuk është një ngjarje kriminale e zakonshme. A ishte ky një paralajmërim i heshtur apo diç më shumë...







