
Ish-trajneri i PSG, Mauricio Pochetino ka zbuluar disa prej arsyeve përse skuadra nuk arriti të fitonte Champions League kur kishte në përbërje, Lionel Messin, Neymarin dhe Mbappenë.
Pochetino rrëfeu mosmarrëveshjet mes Messit dhe Mbappesë në veçanti.
“Mesi donte ta ndërtonte lojën nga mbrapa, ngadalë, me kombinime dhe pasime, sepse ai ka aftësinë të kontrollojë topin dhe të driblojë një, dy ose tre lojtarë”, kujtoi ai.
Megjithatë, ky stil binte ndesh me qasjen e preferuar të Mbapes: “Nga ana tjetër, Mbape, nëse ne luanim thellë dhe e merrnim topin mbrapa, do të kërkonte hapësirë. Bëhej fjalë për ti dhënë atij topin dhe për ta lënë të vraponte. Por kur luanim për Mesin, Mbape thoshte: ‘Forca ime është vrapimi’.
Nëse do të luanim për Mbapen, nuk do të mund të luanim për Mesin”, deklaroi trajneri aktual i Shteteve të Bashkuara.
Messi mbërriti në klub në vitin 2021 pas largimit të tij të dhimbshëm nga Barcelona dhe siç e pranoi Poçetino, gjeti një mjedis armiqësor: “Atmosfera në Francë ishte shumë armiqësore ndaj tij. Ai mbërriti pa asnjë përgatitje parasezonale, pas një goditjeje të fortë emocionale, dhe nuk ishte e lehtë.”

