
Një video emocionuese e publikuar nga platforma sportive “433” është bërë virale në rrjetet sociale, duke prekur mijëra përdorues në mbarë botën.
Pamjet tregojnë një baba nga Irani që gjen një mënyrë të veçantë për t’i mundësuar djalit të tij të verbër të përjetojë emocionet e një ndeshjeje futbolli, përfshirë edhe një gol të shënuar nga Cristiano Ronaldo.
Në video shihet se, ndërsa ndeshja zhvillohet, babai përdor një tabelë të vogël taktike të vendosur në dyshemenë e dhomës së ndenjes, e cila përfaqëson fushën e lojës. Ai merr dorën e të birit dhe e udhëheq mbi tabelë, duke i “shpjeguar” lëvizjet e topit, pasimet dhe momentin e golit.
Kjo mënyrë kreative i mundëson djalit, i cili nuk mund të shohë ekranin, të ndjejë ritmin dhe emocionin e lojës përmes prekjes dhe imagjinatës së drejtuar nga i ati.
Videoja, e shpërndarë nga platforma e njohur “433”, ka marrë qindra mijëra pëlqime brenda pak orësh dhe është kthyer në një nga momentet më të shpërndara në rrjet, duke u cilësuar si një shembull prekës i lidhjes prind-fëmijë dhe dashurisë për futbollin.Versus.al

