
Aktori i njohur turk Kadir İnanır është ndarë nga jeta në moshën 77-vjeçare, pas disa javësh trajtimi në kujdes intensiv për shkak të pneumonisë dhe komplikacioneve të rënda shëndetësore.
İnanır konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme të kinemasë klasike turke “Yeşilçam”, me një karrierë që shtrihet në më shumë se pesë dekada.
Për publikun shqiptar, ai mbetet i njohur për rolin e Iljazit në filmin “Shamikuqja” (“Selvi Boylum Al Yazmalım”), ku luajti përkrah aktores Türkan Şoray. Filmi, i prodhuar rreth 45 vite më parë dhe i shfaqur në Shqipëri gjatë viteve ’80, është kthyer në një nga klasikët më të dashur të kinematografisë turke.
Gjatë karrierës së tij, İnanır ka interpretuar në rreth 200 filma, duke bashkëpunuar me disa nga regjisorët më të njohur të Turqisë dhe duke fituar çmime të shumta. Ai ka qenë gjithashtu aktiv në televizion si aktor, prezantues dhe regjisor.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka shkaktuar reagime të shumta në botën e artit dhe kinemasë turke.
Vitet e fundit ai u përball me probleme të shumta shëndetësore, përfshirë ndërhyrje kirurgjikale, emboli cerebrale dhe goditje në tru, ndërsa paraqitja e tij e fundit në film ishte në vitin 2019.
Kadir İnanır lë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme artistike që do të mbetet pjesë e historisë së kinemasë turke.Versus.al

