Në një mëngjes të qetë korriku, në Ohio, erdhi në jetë Thaddeus Daniel Pierce, një djalë i vogël, i butë, i qetë, por me një histori të jashtëzakonshme. Thaddeus u lind më 26 korrik 2024, por… në njëfarë mënyre, ai kishte ardhur në këtë botë prej kohësh. Embrioni i tij ishte ngrirë që në maj të vitit 1994, dhe për tri dekada kishte qëndruar i fjetur në laborator, si një sekret i vogël i ruajtur me kujdes, duke pritur momentin e vet për të rilindur.
Sipas MIT Technology Review, ai është një nga embrionet më të vjetër të ngrirë që ka sjellë ndonjëherë në jetë një foshnjë të shëndetshme.
Një dëshirë e thjeshtë: të bëhesh prind
Pak kohë më parë Lindsay (34) dhe Tim Pierce (35), nga Ohio, kishin vendosur të ndjekin rrugën e adoptimit të një embrioni pas sfidave të tyre me fertilitetin. Ajo që nuk e dinin ishte se rrugëtimi i tyre do t’i çonte drejt një pjese të vogël të së kaluarës, një embrion i ruajtur që nga vitet '90.
“Kishim një lindje të vështirë, por tani jemi mirë të dy,” - tha Lindsay, ende me zërin e dridhur nga emocionet. “Ai është kaq i qetë... Nuk mund ta besojmë që po e mbajmë këtë foshnjë të çmuar në krahët tanë.”
Çifti udhëtoi në Tennessee, ku ndodhet klinika Rejoice, për transferimin e embrionit. Nuk kishin asnjë ide se po merrnin në zemrat e tyre një pjesë të ngrirë të historisë.
“Na dukej çmenduri,” kujton Lindsay. “As nuk e dinim që embrionet ngrinin kaq kohë më parë. Por nuk po përpiqeshim të thyenim rekorde, thjesht donim një fëmijë.”
Nga e kaluara: gruaja që e ruajti shpresën për 30 vjet
Lydia Archard, sot 62 vjeçe, kishte ngrirë katër embrione në fillim të viteve ’90, së bashku me ish-bashkëshortin e saj, pasi kishte luftuar për vite për t’u bërë nënë. Një nga ato embrione solli në jetë vajzën e saj në vitin 1994, e cila sot është një grua e rritur, me një vajzë 10-vjeçare.
Tre embrionet e tjerë mbetën në ngrirje; “tre shpresat e mia të vogla,” siç i quante Lydia. Ajo vazhdoi të paguante 1,000 dollarë në vit për mirëmbajtjen e tyre, duke mos pasur guximin t’i linte pas.
Pas divorcit dhe hyrjes në menopauzë, ajo mori një vendim që kërkonte më shumë dashuri se sa forcë: të dhuronte embrionet. Por me një kusht; të dinte se kujt do t’i shkonin.
Një lidhje që tejkalon kohën
Lydia përdori programin Nightlight Christian Adoptions, i cili lejon kontakt mes donatorëve dhe familjes adoptuese. Kur mori fotot e vogëlushit nga Lindsay, u ndal. Shikimi i Thaddeus-it i kujtoi diçka shumë të njohur.
“Menjëherë pashë ngjashmërinë me vajzën time kur ishte foshnjë,” tha ajo e përlotur. “E hapa albumin e vjetër dhe nuk kishte dyshim... janë vëlla e motër.”
Sot, ajo mezi pret ta takojë këtë fëmijë që lindi nga shpresa, durim dhe dashuri, por që, për tri dekada, kishte fjetur në heshtje, si një kujtim i palindur që priste momentin e ardhjes në dritë.







