
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dalë në një konferencë për mediat të cilën e ka nisur me një reagim për atentatin e ndodhur dje pak metra larg aeroportit të Rinasit ku u ekzekutua me 100 plumba Gilmando Dani dhe u plagos Muçi Shaljani.
Ai tha se atentati është organizuar në një zonë qëndrore me leje nga autoritetet shtetërore. Sipas Berishës, nuk mundet që autorët të largoheshin aq qetë pas ngjarjes nëse nuk do kishin dakordësi me policinë.
“Kishin zënë pritë aty ku nuk mund të zihet pritë kurrë pa lejen e shtetit. Pas ekzekutimit autorët u larguan të qetë dhe përshkruan të gjithë rrugën Rinas-Fushë Krujë dhe më pas në fshatin Halil të Krujës. Asnjë lloj përpjekje nga policia e shtetit nuk u bë për të ndaluar vrasësit e Gilmando Danit. Një qytetar digjital më shkruan këtu se shpreh çudinë se përse opozita flet për një shofer apo agjent të thjeshtë policie”- u shpreh Berisha.
Më tej kreu i PD zbuloi se një qytetar i kishte dërguar mesazh se Muçi Shaljani, shoferi i njeriut të Emiljano Shullazit, kishte bërë fushatë më 11 maj për Ervin Hoxhën, asokohe ministër i Brendshëm. Berisha thotë se Shaljani u shpërblye duke u punësuar si agjent i AMP pasi mblodhi vota për Ervin Hoxhën dhe në këtë mënyrë u shmangej kontrolleve ndaj mjetit të tij.
“Qytetari digjital thotë se vëllai i Sheqerit (Muç Shaljanit) është 100 herë më i pasur se Shullazi, ka hotele vila e restorante. Të tërë këta janë marrë me drogë, janë me PS-në, blejnë vota e kërkojnë favore. Ky që u plagos ka bërë fushatën e 11 majit për Ervin Hoxhën, ministrit të Brendshëm dhe më pas në shtator u fut në AMP po nga Ervini në shkelje të çdo parametri dhe procedure ligjore. Kjo u bë që vetëm e vetëm ai me uniformën e policisë t’u shpëtojë kontrolleve policore”- shtoi kryedemokrati duke deklaruar se autorët që kryen atentatin mafioz ditën e djeshme kanë gjithashtu lidhje në nivele të larta me qeverinë. Versus.al
