
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbledhur këtë të hënë Kolegjin e Kryetarëve, duke e cilësuar këtë moment si të rëndësishëm për partinë dhe vendin, ndërsa ka drejtuar akuza ndaj kryeministrit Edi Rama për qëndrimet mbi procesin e integrimit europian dhe zhvillimet politike në vend.
Gjatë mbledhjes, Berisha deklaroi se Rama, së bashku me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, kanë mbështetur një qasje tjetër ndaj anëtarësimit në BE, të cilën ai e cilësoi si të dëmshme për interesat kombëtare.
Ai gjithashtu u bëri thirrje strukturave të PD-së për protesta dhe “rezistencë të fuqishme deri në largimin e regjimit”.
Në vijim, Berisha u ndal edhe te organizimi i brendshëm i partisë, duke kërkuar nga kryetarët e degëve, koordinatorët dhe drejtuesit politikë që të intensifikojnë dialogun me qytetarët përmes takimeve të vazhdueshme dhe komunikimit të drejtpërdrejtë në terren.
Sipas tij, PD duhet të mbajë një agjendë të përditshme takimesh në çdo zonë, duke theksuar se “dialogu intensiv me qytetarët” është prioritet në këtë fazë politike.
Berisha shtoi se opozita ka në dispozicion vetëm takimet dhe rrjetet sociale për komunikim me publikun, ndërsa kërkoi raportim të përditshëm për shtrirjen territoriale të partisë./Versus.al

