
Kryeministri Edi Rama do të vizitojë sot Korçën për të inspektuar përfundimet e punimeve në Polin e Dijes, ndërkohë që disa prej akseve kryesore që lidhin juglindjen me pjesën tjetër të vendit janë të bllokuara.
Për shkak të gjendjes së rrugëve, Rama do të udhëtojë me helikopter drejt Korçës, duke shmangur aksin Maliq–Gramsh–Elbasan, i cili është aktualisht i vetmi segment i hapur për qarkullim.
Situata infrastrukturore në zonë mbetet problematike. Segmenti i bllokuar në Arrat e Gurrës, në fshatin Dragostunjë të Librazhdit, vazhdon të jetë i mbyllur, ndërsa rruga dytësore që ishte hapur për qarkullim provizor ka pësuar fundosje dhe rrëshqitje të një sipërfaqeje të madhe toke, duke e bërë të pakalueshëm segmentin dhe duke ndaluar kalimin e këmbësorëve. Makinat e firmës janë larguar për shkak të frikës së dëmtimeve të mëtejshme.
Prania e shtuar e forcave të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës është vënë re në zonë, ndërsa Policia e Korçës është njoftuar se kryeministri do të zbresë me helikopter në qytet rreth orës 11:00.
Ndërkohë, aksin Maliq–Gramsh mbetet i vetmi lidhës me juglindjen, por edhe aty është regjistruar trafik i dendur për shkak të fluksit të lartë të automjeteve./Versus.al

