
Në episodin e radhës të podkastit të tij ‘’Flasim’’, kryeministri Edi Rama foli për draft rezolutën e Parlamentit Europian mbi Shqipërinë duke e konsideruar atë si dëshmi të progresit të vendit dhe forcimit të institucioneve demokratike.
Pavarësisht se në draft rezolutë paraqiteshin një sërë kritikash, Rama nuk u ndal tek to, por u përqendrua tek ecuria e procesit të negociatave duke thënë se Shqipëria po ecën më ritëm të shpejtë.
‘’Draft rezoluta e Parlamentit Europian për Shqipërinë është vlerësim i qartë për ecurinë e Shqipërisë. Ai dokument vlerëson hapjen e të gjithë grupkapitujve brenda 13 muajve. Gjë që përbën rekord në historinë e integrimeve europiane dhe ndërkohë theksohet ritmi i shpejtë në procesin e negociatave me nënvizimin që të mbyllen brenda vitit 2027. Duke evidentuar progresin në forcimin e institucioneve demokratike, shtetin e së drejtës, reformën socio ekonomike, politikat mjedisore, bashkëpunimi europian dhe përputhshmërinë me politikën e jashtme të BE. Kjo draft rezolutë është tjetër sinjal shumë i rëndësishëm për publikun tonë. Shqipëria po ecën me ritëm, qëndrueshmëri dhe qartësi strategjike në drejtimin e duhur’’- tha Rama. Versus.al


