Pak ditë më parë në media u publikuan pretendime për shkelje të kryera nga deputeti democrat Saimir Korreshi gjatë kohës që kishte drejtuar hipotekën e Lushnjës gjatë qeverisjes së PD.
Sot, detaje të tjera janë zbuluar nga denoncimi i bërë këtë vit në Kadastër duke nxjerrë në pah sesi Korreshi kishte firmosur në vitin 2010 disa certifikata pronësie të cilat pas verifikimeve kanë rezultuar të falsifikuara.
Shtetasi P.B nga Kolonja kishte hipotekuar nga Korreshi në vitin 2010 një truall prej 250 metrash katrorë. Ndërkohë që këtë vit priste legalizimin, certifikata e pronësisë ka rezultuar e pavlefshme. Në këto rrethana, P.B ka hequr dorë nga hipotkimi që i kishte bërë Saimir Korreshi dhe kishte pranuar se toka mbi të cilën kishte ndërtuar, i përket shtetit.
“Gjatë studimit të dosjes nga specialist juridik përkatës në sektorin e legalizimit u konstatua se në regjistrimin e pasurisë Nr 5/165 mungon titulli i pronësisë dhe për këtë arsye iu kërkua aplikuesit të përpilonte te noteri një deklaratë noteriale ku shprehej se kërkonte të vazhdojë legalizimin në toke shtetërore dhe heqjen dorë nga regjistrimi i mëparshëm i kryer me referencë numër 00002178” – thuhet për rastin në fjalë.
Certifikata duket të jetë përfituar pa patur titullin e pronësisë në praktikën e regjistrimit. Në denoncimin e bërë nga L.S në Kadastër thuhet se raste të tilla duhet të depozitohen në SPAK në mënyrë që të hetohen zyrtarët e përfshirë.
“Ju si Agjenci keni detyrimin që lind nga zbatimi i nenit 281 të Kodit të procedurës Penale që të kallëzoni rastin në Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier apo në SPAK në Tiranë, për zyrtarë apo shtetas të zakonshëm, mbi dyshimet se kanë kryer njërën apo disa nga veprat penale si Falsifikim i dokumenteve, Mashtrim, Shpërdorim detyre, Pastrim i produkteve të veprës penale” – thuhet në denoncimin që shtetasi L.S. ka bërë pranë ASHK.
Certifikata e pronësisë e lëshuar nga Korreshi, dyshohet të jetë lëshuar në shkelje të legjislacionit të kohës për shkak se nuk ka përmbushur detyrimet ligjore.
“Këto raste kanë sjellë mosmarrëveshje në vijim mes qytetarëve, kryesisht mes atij që e ka hipotekuar i mashtruar nga Korreshi dhe blerësit të pronës më pas që ka rezultuar se ka blerë një tokë me dokumentacion të falsifikuar” – thuhet në denoncimin e bërë në ASHK.
Korreshi njihet më së shumti për batutat e tij sa herë që merr fjalën në foltoren e Kuvendit ku shpesh shfaqet me perime të ndryshme për të sensibilizuar lidhur me mbështetjen që u duhet dhënë fermerëve. Versus.al


