
Kosova i kërkon llogari Serbisë për arrestimin e veteranit të UÇK-së, Ministria e Jashtme notë proteste Beogradit, informon edhe ndërkombëtarët
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës tha se pasi ka marrë informacionin për arrestimin e shtetasit të Kosovës, Avni Qenaj, nga Serbia i është drejtuar Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë me kërkesë zyrtare për konfirmimin e arrestimit, arsyet e ndalimit dhe vendndodhjen aktuale të tij.
Qenaj, që u arrestua sot, sipas Organizatës të Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është nga fshati Romajë i Prizrenit dhe kishte shërbyer në brigadën 138 “Agim Ramadani” në Koshare.
MPJD tha se po ashtu për këtë rast e ka njoftuar delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi “duke kërkuar monitorim të shtuar dhe transparencë të plotë nga autoritetet serbe në lidhje me procedurat e ndërmarra”.
“Gjithashtu është dërguar tashmë notë verbale te misionet diplomatike të vendeve të QUINT-it të akredituara në Serbi, me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Republikës së Kosovës”, tha MPJD.
Kjo ministri shtoi se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi do të bëjë kërkesë zyrtare për lejimin e vizitës së Qenajt, “sapo të konfirmohet lokacioni i saktë ku ai po mbahet”, informon Radio Evropa e Lirë.
“Edhe njëherë, MPJD i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të rrisë vigjilencën dhe presionin ndaj autoriteteve të Serbisë, e cila vazhdon praktikën e keqtrajtimit dhe intimidimit të shtetasve të Republikës së Kosovës, duke cenuar kështu normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, u tha në njoftim.
Ndërkaq, nënkryetari i OVL të UÇK-së, Gazmend Syla, tha më herët gjatë ditës për Radion Evropa e Lirë se autoritetet serbe i gjetën Qenajt kartelën e anëtarësisë së veteranit.
“Ai është arrestuar dhe sipas informacioneve që kemi, me gjasë ia kanë gjetur kartelën e anëtarësisë së veteranit që e kemi, në xhep kur e kanë kontrolluar. Ndërkaq, sipas informacioneve që morëm ne, Qenaj kishte kaluar dy-tri herë andej [nëpër Serbi] dhe nuk ka pasur ndonjë problem”, tha Syla për REL.
Më herët gjatë 25 nëntorit, Ministria për Punë të Brendshme të Serbisë tha se është arrestuar një ish-pjesëtar i UÇK-së, të cilin e identifikoi vetëm me inicialet A.Q.
Sipas kësaj ministrie, ai dyshohet se gjatë luftës në Kosovë ka kryer veprën penale të organizimit të një grupi dhe nxitjen për kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës.
Në njoftim pretendohet se i dyshuari në prill të vitit 1998 i është bashkuar shtabit lokal të UÇK-së për fshatin Romajë në komunën e Prizrenit dhe se si pjesëtar i brigadës 138 “Agim Ramadani” ka marrë pjesë në sulmin ndaj posti kufitar serb në Koshare në vitin 1999.
Të dyshuarit A.Q. (1973) i është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh dhe MPB-ja serbe shtoi se në prokurorinë kompetente ndaj tij do të dorëzohet një kallëzim penal. Viteve të fundit, në Serbi janë arrestuar disa qytetarë të Kosovës, të cilët Beogradi pretendon se kanë kryer krime të luftës.
Në korrik të këtij viti, Lulzim Halili u arrestua nga Serbia nën dyshimet për krime lufte dhe nën pretendimet se kishte qenë pjesë e brigadës 138 “Agim Ramadani” në Koshare. Atëbotë, Organizata e Veteranëve të UÇK-së, tha se emri i tij nuk figuronte në listën e veteranëve e as në atë të pjesëmarrësve në këtë betejë.
Në Koshare ishte një post ushtarak i Ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, ku nga 9 prilli 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s mbi RFJ, për 67 ditë u zhvilluan luftime mes ushtrisë jugosllave dhe UÇK-së.
Ministria e Mbrojtjes së Serbisë më vonë bëri të ditur se në betejën e Koshares u vranë 108 pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave. Zyrtarët nga Kosova thanë se janë vrarë 114 pjesëtarë të UÇK-së. Autoritetet jugosllave thanë se NATO bombardoi Kosharen në maj të vitit 1999.
Beteja në këtë post kufitar mes RFJ-së dhe Shqipërisë përfundoi më 14 qershor, kur Ushtria e Jugosllavisë u tërhoq nga Kosova në bazë të marrëveshjes me të cilën përfunduan bombardimet e NATO-s mbi RFJ.
NATO-ja i nisi sulmet në caqet ushtarake policore në ish-Jugosllavi pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999. Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me Marrëveshjen Teknike të Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova.
Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, më 9 prill në Serbi shënohet si një betejë heroike e forcave ushtarake të Jugosllavisë, pjesë autonome e së cilës në atë kohë ishte Kosova, ndërsa në Kosovë kremtohet si fitore e UÇK-së.
Serbia gjatë viteve ’90 e karakterizoi UÇK-në si organizatë terroriste, ndërsa për Kosovën, UÇK-ja është organizata që mbrojti popullsinë lokale nga represioni i forcave të armatosura jugosllave.
