
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar tonet ndaj disa figurave brenda partisë, të cilët i cilësoi si bashkëpunëtorë të kundërshtarëve politikë.
Gjatë një takimi me drejtues dhe koordinatorë, ai deklaroi se individët që mbështesin vendime të mazhorancës apo kandidatë të tjerë nuk mund të jenë pjesë e PD-së.
Berisha theksoi se persona të tillë “bëjnë pazare” dhe nuk përfaqësojnë vlerat e demokratëve, duke paralajmëruar se partia do të distancohet prej tyre.
“Mos të mendojë askush se duke i shërbyer socialistëve do të jetë pjesë e jona. Ka njerëz që shiten dhe bëjnë pazare, por demokratët janë më të fortë,” deklaroi Berisha.
Ai bëri thirrje për rritje të anëtarësimeve dhe për bashkim të qytetarëve që kundërshtojnë qeverinë aktuale.
Në fjalën e tij, lideri demokrat vuri theksin te organizimi i brendshëm dhe kontrolli i strukturave, ndërsa nënvizoi se opozita duhet të rrisë presionin publik dhe ndërkombëtar.
Sipas tij, protesta dhe revolta qytetare mbeten rruga kryesore për t’u dëgjuar.
Berisha akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama për vendime që, sipas tij, kanë dëmtuar dhe “poshtëruar” qytetarët, duke e cilësuar këtë fazë si vendimtare për betejën politike të opozitës./Versus.al

