POLITIKË /

“Prej 6 vitesh pa zgjidhje”, Rama publikon mesazhin e qytetarit: Kjo protestë më intereson, të tjerët ushqehen me përçarjen

Shkruar nga Versus
“Prej 6 vitesh pa zgjidhje”, Rama publikon mesazhin e qytetarit: Kjo
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në podcastin “Flasim” mesazhin e një qytetari, i cili prej gjashtë vitesh kërkon zgjidhje për pallatin e dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019, duke e cilësuar rastin si një shembull të dështimeve të administratës dhe arsyeve që i shtyjnë qytetarët të protestojnë.

Qytetari, Amos Mezuraj, rrëfen se së bashku me 12 familje të tjera ka ndjekur prej vitesh të gjitha rrugët institucionale për të zgjidhur problemin, por pa marrë një përgjigje përfundimtare. Ai shprehet se zhgënjimi i ka çuar drejt protestës dhe se, për shkak të mungesës së zgjidhjes, fajin e adresojnë te kryeministri.

Në përgjigje, Rama tha se kjo është protesta që ai e konsideron legjitime, pasi buron nga hallet reale të qytetarëve dhe jo nga interesa politike apo manipulime.

“Tani, unë dua ta them shumë qartë dhe shumë drejtpërdrejt: kjo është protesta që mua më intereson, që mua më zemëron po ashtu, që mua më motivon të vazhdoj luftën time. Nuk më zemëron mua protesta e sikur-eve, as protesta e shtirjeve. Ajo më neverit. Kjo më zemëron. Dhe nëse do të isha në vendin tënd, i dashur Amos, pas gjashtë vitesh pritje, me shumë gjasa edhe unë do të ndihesha pjesë e asaj proteste”, u shpreh Rama.

Kryeministri pranoi se administrata ka mangësi dhe se raste të tilla nuk duhet t'i detyrojnë qytetarët t'i drejtohen kryeministrit për zgjidhjen e problemeve të përditshme.

Ai shtoi se mesazhin e qytetarit e kishte përcjellë pranë Bashkisë së Tiranës edhe një vit më parë.

Rama u ndal edhe te protesta në tërësi, duke deklaruar se nuk duhet lejuar që hallet reale të qytetarëve të përdoren nga grupe apo individë që, sipas tij, synojnë të mbajnë gjallë konfliktin.

“Ata nuk kërkojnë zgjidhje. Ata kanë nevojë që zgjidhja të mos vijë kurrë, sepse duan të mbajnë gjallë zemërimin, përçarjen dhe iluzionin që çdo plagë e një qytetari është prova se këtu duhet rrëzuar gjithçka dhe Shqipëria duhet të fillojë nga e para”, deklaroi Rama.

Në përfundim, kryeministri u bëri thirrje qytetarëve që të mos heqin dorë nga kërkimi i të drejtave të tyre dhe premtoi se do të vijojë të ndjekë rastet që i adresohen, duke theksuar se problemet e administratës duhet të korrigjohen dhe jo të përdoren për të thelluar përçarjen./Versus.al

Tags:

edi rama

Poll