POLITIKË /

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e tij, Rama: Nuk pranoj sharlatanë apo hipokritë të më thonë se si bëhet Shqipëria

Shkruar nga Versus
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e tij, Rama: Nuk pranoj
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për protestat që po zhvillohen në vend, duke deklaruar se i konsideron të ligjshme shqetësimet e qytetarëve që protestojnë për probleme reale, por kundërshton ata që, sipas tij, përdorin situatën për manipulim apo për qëllime të tjera.

Në podcastin “Flasim”, Rama tha se jo të gjithë protestuesit marrin pjesë për të njëjtat arsye, duke përmendur ndikimin e rrjeteve sociale, impulseve nacionaliste dhe manipulimeve si faktorë që, sipas tij, ndikojnë në mobilizimin e një pjese të tyre.

“Unë dua ta them shumë qartë dhe drejtpërdrejtë, kjo është protesta që mua më intereson, që më zemëron, por po ashtu më motivon të vijoj luftën time. Nuk më zemëron protesta e sikureve apo shtirjeve, ajo më neverit. Kjo më zemëron. Nëse nuk do të isha në këtë pozicion, do të isha edhe vetë në protestë. E ndjej zemërimin tënd. Jo çdokush është në protestë për të njëjtën arsye. Ka nga ata që nuk i çon aty like, influencer, impulset e verbra nacionaliste, manipulimet apo misionet për të manipuluar të tjerët, por një hall që kthehet në zemërim e më pas shpërthen”, u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi se ndjek çdo mesazh që i dërgohet nga qytetarët, por theksoi se nuk pranon që, sipas tij, persona të cilët i cilësoi si “sharlatanë”, “hipokritë” apo të nxitur nga të tjerë, t'i diktojnë mënyrën se si duhet të drejtohet vendi.

“Çdo mesazh që më vjen në telefon unë e ndjek. Ata që më janë vënë pas do të më gjejnë pas, në aspektin e debatit. Nuk pranoj që çdo sharlatan apo njeri i futur nga të tjerë, apo hipokritë që i kam parë në punë, të marrin mikrofonin e të më thonë se si bëhet Shqipëria. Këtë nuk e pranoj”, deklaroi Rama./Versus.al

Tags:

edi rama

Poll