Mbrëmjen e djeshme socialistët votuan me 77 vota pro projektligjin për barazinë gjinore pas një seance maratonë në Kuvend. Ndërkohë demokratët votuan kundër me 36 vota, duke e kundërshtuar fuqishëm këtë projektligj që sipas tyre shkatërron bazat e familjes dhe shoqërisë tradicionale shqiptare duke përfshirë disa gjini në vend.
Pavarësisht këtyre qëndrimeve dhe protestave nga shoqëria civile jashtë Kuvendit, socialistët pretenduan se projektligji nuk ka synim shtimin e numrit të gjinive dhe se ato do të jenë burrë dhe grua.
Por ajo që ka ngjallur reagime të shumta ka qenë termi “përkatësi e shumëfishtë” e cila nga PD dhe protestuesit cilësohet si kleçka që u mundëson personave të ndryshëm identifikimin e ndryshëm gjinor. Për këtë pretendim, PS tha se fraza u referohet burrave apo grave me karakteristika sociale me baza diskriminuese si për shembull “burrë i varfër” apo “vajzë rome”, gjë që nuk ka bindur aspak protestuesit të cilët e konsiderojnë të panevojshëm një ligj të tillë. Versus.al

